Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Bedri Krasniqit lidhur me akuzën për vrasjen e dy zyrtarëve policorë në vitin 2004 në Podujevë, kurse Alban Dezdari u dënua me 8 vjet burgim për veprën penale të “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje”.
Bedri Krasniqi u shpall i pafajshëm dhe u lirua në mungesë të provave.
Bedri Krasniqi i akuzuar për vrasjen e rëndë të një polici të Kosovës dhe një tjetër të UNMIK -ut në vitin 2004, sot me vendim nga Gjykata u shpall i pafajshëm dhe u lirua.
Ky vendim është marrë nga kryetari i trupit gjykues në këtë çështje, Arben Hoti.
Kurse, Alban Dezdari u shpall fajtor dhe u dënua me 8 vjet burigm për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje”, kurse u lirua nga akuza për “Vrasje të rëndë e mbetur në tentativë”.
Të njëjtit do t’i llogaritet në dënim edhe koha e kaluar në paraburgim.
Aktakuza lidhur me rastin e vrasjes që aktualisht po gjykohet ishte ngritur me 21 korrik të vitit 2017 me të cilën të akuzuarit i ngarkonte me veprën penale vrasja e rëndë dhe vrasja në tentativë.
Atëbotë këto akuza binin në barrën e katër të akuzuarve, Bedri Krasniqi, Alban Dezdari, Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, mirëpo Gjykata Supreme përmes një aktvendimi të nëntorit të po atij viti Kiqmarin dhe Shaqirin i kishte liruar pasi që të dy të akuzuarit ishin gjykuar vite më parë dhe se ka një aktgjykim për pushimin e hetimeve kundër tyre.
Ish-Gjykata e Qarkut e Prishtinës, më 9 nëntor 2007, fajtor për sulmin që ishte konsideruar si terrorist e kishte shpallur vetëm Shkumbin Mehmetin, të cilin e kishte dënuar me 30 vite burgim, ndërsa i kishte liruar nga akuzat Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Florim Ejupin, Xhavit Kosumin, Faik Shaqirin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin.
Prokuroria e EULEX-it, më 21 korrik 2017 kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarve Bedri Krasniqi, Alban Dezdari, Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, për shkak të kryerjes së veprave penale “Vrasje e rëndë” dhe “Vrasje në tentativë”.
Sipas aktakuzës, katër të akuzuarit më 23 mars 2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin, kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut, të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë.
Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër pasagjerëve të saj, duke privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut, Possible Essuman dhe zyrtarin policor të Kosovës, A.Rr, të cilët kishin qenë duke i kryer detyrat e tyre të mbrojtjes së rendi ligjor.
Lëndime nga plumbat e shkrepur kishin pësuar zyrtari i Policisë së Kosovës, Basri Mulliqi dhe përkthyesi i UNMIK-ut, Ramë Zeneli.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit qëllimisht kishin rrezikuar jetën e më shumë personave, të cilët ishin në automjete që vinin prapa veturës së UNMIK-ut, duke vepruar për motive nacionaliste dhe qëllimisht kishin kryer këto dy vrasje.


