Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Bashkimi Evropian është i gatshëm për një marrëveshje tregtare me Presidentin amerikan Donald Trump, ndërsa afati për vendosjen e tarifave të reja nga SHBA hyn më fuqi në 9 korrik.
Megjithatë, Von der Leyen paralajmëroi se “të gjitha opsionet mbeten në tryezë” nëse negociatat nuk sjellin rezultate të kënaqshme.
Duke folur pas një samiti të BE-së në Bruksel, von der Leyen konfirmoi se është në shqyrtim një draft i ri negociues nga Shtetet e Bashkuara. Ajo shtoi se BE-ja është e gatshme të mbrojë interesat e saj ekonomike në rast se nuk arrihet një marrëveshje.
Donald Trump ka paralajmëruar vendosjen e tarifave deri në 50% për mallrat e importuara nga BE-ja, nëse nuk arrihet një marrëveshje deri më 9 korrik. Aktualisht, shumica e produkteve evropiane përballen me tarifa 10%, ndërsa makinat, çeliku dhe alumini me tarifa nga 25% deri në 50%.
Zyrtarët e BE-së janë të ndarë për strategjinë ndaj SHBA-së, kjo pasi Gjermania kërkon një marrëveshje të shpejtë për të shmangur pasigurinë për industrinë, veçanërisht sektorin e automobilave, ndërsa Franca paralajmëron kundër një marrëveshjeje të pabarabartë që, sipas Presidentit Macron, do të dëmtonte konkurrueshmërinë afatgjatë të Evropës
Brukseli ka ofruar një marrëveshje “zero për zero” për mallrat industriale, por SHBA ka treguar pak interes, duke u përqendruar më shumë në kritikat ndaj rregullave të BE-së për teknologjinë dhe TVSH-në. Von der Leyen theksoi se rregulloret që lidhen me Aktin e Tregjeve Dixhitale nuk janë të negociueshme/rtsh