Bayern Munich është gati të hyjë në garë me Barcelonën për transferimin e sulmuesit të Liverpoolit, Luis Diaz, gjatë kësaj vere.
Gjigantët e Bundesligës janë në kërkim të një lojtari cilësor për krahun e majtë të sulmit dhe kanë përfshirë kolumbianin në listën e tyre të ngushtë të objektivave.
Megjithatë, kampionët e Gjermanisë nuk kanë nisur ende bisedime zyrtare me klubin anglez, pasi janë ende në fazën e vlerësimit të alternativave të mundshme.
Diaz mund të largohet nga ‘Të Kuqtë’ këtë verë nëse vjen një ofertë e përshtatshme për klubin.
Reprezentuesi kolumbian është gjithashtu në radarët e Barcelonës, e cila e sheh atë si një zgjidhje të mundshme për repartin ofensiv pas vështirësive që po has me transferimin e Nico Williams.
Ndërkohë, Bayern është pranë finalizimit të një marrëveshjeje me lojtarin e Stuttgartit, Nick Woltemade, i cili raportohet se ka pranuar të transferohet në Mynih.
Gjithsesi, sipas Plettenberg, edhe nëse marrëveshja me Woltemade realizohet, kampionët e Gjermanisë e konsiderojnë Luis Diaz si një objektiv serioz.
Diaz vjen nga një sezon shumë i suksesshëm 2024/2025 me kampionët e Ligës Premier, duke qenë një nga lojtarët më vendimtarë në skuadrën e drejtuar nga Arne Slot, që fitoi titullin e 20-të në histori, duke barazuar rekordin e Manchester United.
Sulmuesi 27-vjeçar luajti në 50 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar 17 gola dhe asistuar tetë herë.