Partia Socialdemokrate (PSD) që për një kohë mbajti pushtetin në Prishtinë dhe gjatë kësaj kohe vendosi edhe njerëzit e saj në drejtimin e ndërmarrjeve, duke përfshirë këtu edhe Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB), ka reaguar pas aksionit të sotëm që kanë zhvilluar njësitet e Policisë së Kosovës nga Krimet Ekonomike.
Ky subjekt politik ka shprehur revoltën duke i cilësuar si përndjekje politike bastisjet që janë kryer të mërkurën, sidomos në pronat e ish-zyrtarëve të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB).
Ish- aksionari i NPB, Dren Kukaj, në një konferencë për media tha se bastisjet janë përndjekje politike që po i bëhet atij dhe PSD-së, ndërsa ka kritikuar edhe reagimin e ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla për këto bastisje.
“Ministri i Punëve te Brendshme pa përfunduar aksioni thotë ka qenë aksion i suksesshëm. Çka ka të suksesshme këtu. Jam i bindur në ligjshmërinë e veprimeve. Jemi bere cak i përndjekjeve politike”, ka theksuar Kukaj.
Ai në këtë rast ka treguar se i është bastisur banesa e tij dhe shtëpia e prindërve.
“Sot më janë bastisur fillimisht shtëpia e prindërve, pastaj në banesë, kanë hyrë në banesë dhe e kanë bastisur tërë banesën. Kanë marrë 2 kompjuterë të prindërve dhe një telefon personal, pastaj e kanë bastisë banesën ku jetoj me grua dhe fëmijë, ma morën veç telefonin”, ka deklaruar Kukaj.
Në këtë konferencë ka folur edhe kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj, që sipas tij “është krejtësisht e qartë që aksioni është një përndjekje politike”.
“Jo rastësisht qytetarët na thonë ju jeni opozita e vetme, ata nuk kishin problem me hajni por me ata që bëjnë opozitë”, ka theksuar Molliqaj.
Njësitet e Policisë së Kosovës nga Krimet Ekonomike kanë kryer disa bastisje në Prishtinë mëngjesin e së mërkurës. Siç mësohet aksioni është zhvilluar pas dyshimeve për keqpërdorime lidhur me një objekt në vlerë prej rreth 120 milionë eurosh në lagjen “Lakërishtë” në kryeqytet.
KosovaNeës nga burime te saj ka mësuar se cak i bastisjeve kanë qenë zyrtarë e ish- zyrtarë të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), respektivisht janë bastisur pronat e tre aksionarëve dhe pesë anëtarëve të Bordit të NPB-së.
Po ashtu bastisje janë kryer edhe në pronat e tre operatorëve ekonomikë që janë të ndërlidhur me projektin multimilionësh lagjen “Lakërishtë” në kryeqytet.
Për aksionin policor është deklaruar edhe ministri i Punëve të Mbrendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se angazhimi për luftimin e çdo lloj krimi do të intensifikohet, ndërsa ka përgëzuar Departamentin e Hetimeve për secilin rezultat të arritur.


