Policia e Kosovës (PK) njofton se janë bastisur tetë lokacione në rajonin e Prishtinës lidhur me shitblerje të armëve. Katër të dyshuarit u liruan në procedurë të rregullt.
Policia njofton se Sektori i Hetimeve i Departamentit të Kufirit, mbështetur edhe nga njësitë tjera relevante, ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, nën dyshimin e bazuar për kryerje të veprës penale ‘’Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e pa autorizuar e armëve ose mjeteve plasëse”
“Lidhur me rastin janë bastisur tetë (8) lokacione në rajonin e Prishtinës, ku si rezultat i kësaj, janë gjetur dhe sekuestruar: një pushkë automatike AK-47, njëzet e tre (23) fishekë, dy magazina (karikator), një bajonetë, një thikë, shtatëdhjetë e tetë (78) gram të substancës së dyshuar narkotike, si dhe pajisje elektronike, gjithësej shtatë telefonë celularë”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se pas marrjes në pyetje dhe procedurave të rastit, me urdhër të prokurorit të rastit, katër të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.