Sipas Barometrit Standard të Bashkimit Evropian për pranverën e vitit 2025, vetëm 18 për qind e qytetarëve të Kosovës vlerësojnë se situata ekonomike në vend është e mirë dhe se kanë pritshmëri se gjendja përgjatë 2025-ës do të ndryshojë.
Ndërkaq, 40 për qind e të anketuarve e konsiderojnë atë si shumë të keqe.
Të dhënat e këtij hulumtimi tregojnë se ekonomia, papunësia dhe kostoja e jetesës janë ndër shqetësimet më të theksuara të qytetarëve.
Rritja e çmimeve dhe inflacioni përmenden në mënyrë të përsëritur si problemet më të mprehta që ndihen në jetën e përditshme.
Kur janë pyetur për çështjet më të rëndësishme me të cilat po përballet Kosova aktualisht, shumica e qytetarëve i kanë renditur pikërisht këto sfida ekonomike, duke reflektuar pasigurinë dhe vështirësitë që përjetojnë.
Megjithatë, matja e opinionit publik tregon se niveli i besimit në institucionet vendore është më i lartë sesa në ato të Bashkimit Evropian.
Edhe pse institucionet e BE-së shihen me më pak besim, perceptimi për vetë Bashkimin Evropian mbetet shumë pozitiv: plot 89 për qind e të anketuarve kanë një mendim të mirë për BE-në.
