Barcelona është gati të bëjë pagesën përfundimtare ndaj Lionel Messit dhe disa ish-lojtarëve e anëtarëve të stafit, të cilët pranuan të shtyjnë pagat në vitin 2020, gjatë krizës financiare të shkaktuar nga pandemia.
Sipas “Culemania”, pagesa do të bëhet të hënën, më 30 qershor, dhe përfshin një shumë totale prej 16 milionë euro.
Lionel Messi do të marrë shumën më të madhe individuale prej 5.95 milionë euro, pasi në atë periudhë kishte kontratën më të lartë në skuadër.
Pjesë e kësaj marrëveshjeje janë edhe emra të tjerë të njohur si Sergio Busquets, Jordi Alba dhe ish-trajneri Ronald Koeman. Busquets do të përfitojë 1.18 milionë euro, ndërsa Alba 943 mijë euro.

Në listën e përfituesve përfshihen gjithashtu Antoine Griezmann, Philippe Coutinho, Samuel Umtiti, Ousmane Dembele, Sergi Roberto, Luis Suarez dhe Miralem Pjanic, ndër të tjerë.
Kjo është pagesa e tetë dhe e fundit nga marrëveshja e bërë gjatë mandatit të ish-presidentit Josep Maria Bartomeu, e cila ndihmoi Barcelonën të përballojë problemet me likuiditetin në kohë të vështira.
Klubi katalanas shpreson se përfundimi i kësaj detyrimi financiar do t’i hapë rrugën një menaxhimi më të lirshëm të buxhetit dhe i jep mundësi të fokusohen në ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri.
Kjo lëvizje shihet gjithashtu si një përpjekje për të pastruar marrëdhëniet me ish-lojtarët legjendarë dhe për të mbyllur një kapitull të rëndë në historinë e fundit të klubit.