Disa banorë të Stambollit e kanë kaluar natën jashtë, nga frika e kthimit në shtëpitë e tyre, pas një tërmeti të fortë dhe mbi 180 pasgoditje.
Emriye Toklu dhe familja e saj kanë fjetur në një tendë në një park pranë shtëpisë së tyre.
“Ne ishim shumë të frikësuar nga tërmeti. Tepër të frikësuar. Nuk ishim në gjendje të ktheheshim brenda”, ka thënë ajo për Associated Press, duke shtuar se po përpiqej të bindte nipërit e saj të ktheheshin në shtëpi nga frika e goditjeve të mëtejshme, raporton AP.
Lëkundjet e tërmetit me magnitudë 6.2 që ka goditur të mërkurën kanë krijuar panik në qytetin më të madh të Turqisë, me 16 milionë banorë, ndërkohë që nuk ka pasur raportime për dëme serioze.
Tërmeti kishte një thellësi prej 10 kilometrash, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara, me epiqendrën e tij rreth 40 kilometra në jugperëndim të Stambollit, në Detin Marmara.
Është ndjerë në disa krahina fqinje.
Të paktën 236 persona janë trajtuar për lëndimet që kanë pësuar ndërsa përpiqeshin të hidheshin nga ndërtesat ose për sulme paniku. Shumica e të lënduarve ishin në Stamboll, ku banorët mbeten të shqetësuar për shkak se qyteti konsiderohet në rrezik të lartë për një tërmet të madh.
Nga frika e një tërmeti më të fortë që mund të shkatërronte shtëpitë, banorët kanë kërkuar strehim duke fjetur në veturat e tyre ose duke ngritur tenda në parqe dhe hapësira të tjera të hapura. Shumë prej tyre kishin ndezur zjarre kampi për t’u ngrohur pas uljes së temperaturës.
Turqia përshkohet nga dy linja të mëdha thyerjeje dhe tërmetet janë të shpeshta.
Për shumë njerëz, kujtimi i një tërmeti shkatërrues që ka goditur 11 provinca jugore dhe juglindore dy vjet më parë, mbetet i gjallë.
Tërmeti 7.8 ballë i 6 shkurtit 2023, ka marrë më shumë se 53,000 jetë dhe ka dëmtuar ose shkatërruar qindra mijëra ndërtesa. 6.000 njerëz të tjerë kanë vdekur në pjesët veriore të Sirisë fqinje.
Agjencia e menaxhimit të fatkeqësive dhe emergjencave, AFAD, ka thënë se tërmeti i së mërkurës është pasuar nga 184 pasgoditje, shtatë prej tyre me magnitudë 4 ose më të fortë.