Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka komentuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos marrë pjesë në nismën Ballkani i Hapur.
Ai në Rubikon të Klan Kosovës ka thënë është vendim i Kosovës se në cilat nisma rajonale të merr pjesë e në cilat jo.
“Ne e përkrahim iniciativën e Ballkanit të Hapur, duke e thënë këtë ne e kuptojmë që Kosova ka të drejtë të merr vendimet e saj sovrane se në cilat iniciativa rajonale do të marrë pjesë dhe në cilat nuk do ta bëjë, pra është një vendim sovran për Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Hovenier.
Hovenier tha se ata do ta përkrahin iniciativën e Ballkanit të Hapur, deri në pikën që disa kushte të caktuara të plotësohen apo vazhdohen.
“Një nga këto kushte për të cilën Gabriel (Escobar) ka folur shumë hapur është se është e lirë dhe barabartë e qasshme për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, pra pa fusnota, pa kushte speciale, pra në këtë rast Kosova do të trajtohej si çdo shtet tjetër në këtë iniciativë. Tjetra është se principet të jenë në linjë me kërkesat për anëtarësim në BE, në fakt puna që është bërë në lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe çështjeve të sundimit të rendit dhe ligjit është në linjë me kriteret e BE për aq kohë sa këto kushte plotësohen ne e përkrahim iniciativën”, tha ai.