Zhurmë e madhe po bëhet ditëve të fundit për rritjen e tatimit në pronë. Madje Qeveria është kritikuar nga deputetë të opozitës, të cilët fajësuan ekzekutivin për varfërimin e qytetarëve, duke kërkuar që ta pezullojë rivlerësimin e pronave. Por, politikanët që tani po kritikojnë e hedhin fajin diku tjetër, janë po ata që e kanë hartuar dhe miratuar Ligjin për tatimin në pronë, qysh para 5 viteve.
Rivlerësimi i pronave i kryer vitin e kaluar nga Ministria e Financave ndikoi që tatimi në pronë të rritet në një masë të përqindjes dhe varësisht nga zona.
Ky proces, që bëhet çdo 3 apo 5 vjet, nxiti reagime nga qytetarët, të cilët e kualifikuan rritjen si të papërballueshme. Ndërkaq subjektet politike nga kampi opozitar kanë lëshuar kritika të ashpra në adresë të Qeverisë së Kosovës.
Kush e përgatiti Projektligjin për Tatimin në Pronë, që këto ditë nxiti reagime të shumta
Ngritja e vlerës së tatimit në pronë u politizua tani pasi subjektet politike që aktualisht janë në opozitë po e fajësojnë qeverisjen aktuale, duke mos u marrë fare me ligjin që në realitet e kanë përgatitur e miratuar vetë sa ishin në pushtet, shkruan KosovaNews
Në fakt puna në Projektligjin për tatimin në pronën e paluajtshme ka nisur qysh në vitin 2017. Në atë kohë Qeveria drejtohej nga koalicioni LDK-PDK dhe kryeministër ishte Isa Mustafa, kurse ministër i Financave, Avdullah Hoti dhe ministër i Bujqësisë, Memli Krasniqi.
Kjo përbërje e Qeverisë së Kosovës në mbledhjen e saj të mbajtur më 4 maj 2017 e pati miratuar Projektligjin për tatimin në Pronën e Paluajtshme.
Hoti dhe Krasniqi si ministra në ditën e miratimit patën dhënë fjalë të mira e shprehën nevojën për të çuar përpara ligjin.
Hoti ka thënë se ka arsye të fortë dhe praktike për të forcuar tatimin në pronë pasi ky tatim është i drejtë dhe i parashikueshëm dhe është vështirë për t’u shmangur.
“Tatimi në pronë është burim i qëndrueshëm i financave të pushtetit lokal. Programi është i paraparë me programin e Qeverisë 2015-2018”, pati deklaruar Hoti.
Për këtë projektligj foli atë ditë edhe Memli Krasniqi, i cili ka thënë se është njëri prej projektligjeve më të rëndësishme që mund t’i miratojnë deri tash, sepse rregullon një fushë e cila nuk ka qenë e rregulluar më parë.
Nga Qeveria në Kuvend, kundër në lexim të parë vetëm Vetëvendosje
Çështja e rregullimit të tatimit në pronë ka vazhduar mandej rrugën për në Kuvendin e Kosovës. Në kohën kur është votuar nga deputetët, Qeverinë e Kosovës e ka pasur koalicioni PDK-AAK- Nisma (PAN).
Në shqyrtimin e parë të Projektligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme që është mbajtur në Kuvendin e Kosovës më 29 Nëntor 2017, përveç Vetëvendosjes të gjitha grupet tjera parlamentare u deklaruan se do ta përkrahin atë.
Projektligji bënte rregullimin e procedurave dhe rregullave për tatimin në pronë, si dhe bazën për fillimin e implementimit edhe për tatimin në tokë.
Bedri Hamza si deputet nga radhët e PDK-së, pati deklaruar se në fillim do të ketë zbritje të shkallëzuar të tatimit për tokën në vitet e para të implementimit, e me kalimin e viteve kjo zbritje do të njohë ngritje graduale. Hamza tha se për projektligjin është konsultuar me përfaqësues të komunave si përfituese kryesore.
Si parti që ka punuar në këtë projektligj është edhe LDK, pavarësisht sa ishte në qeverisje apo opozitë.
Në kohën e miratimit në parim nga Kuvendi, Lumir Abdixhiku si kryetar i Komisioni funksional për buxhet dhe financa, tha se ky projektligj rregullon çështjen e vendosjes së tatimit për pronën e paluajtshme dhe se vëmendje e veçantë i është kushtuar fillimit të tatimit në toka.
Miratimi në lexim të dytë dhe hyrja në fuqi e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme
Vetëm një muaj nga leximi i parë, Projektligji për Tatimin në Pronën e Paluajtshme doli për votim në Kuvendin e Kosovës.
Më 26 janar 2018 këtë projektligj e ka paraqitur para deputetëve kryetari i komisionit për Buxhet dhe Financa, Lumir Adbixhikut, i cili ka bërë thirrje që i njëjti të miratohet. Kështu pas hedhjes në votim me shumivë të votave edhe është miratuar Ligji për tatimin në pronën e paluajtshme.
Ky ligj mandej më 15 shkurt të vitit 2018 është shpallur në Gazetën Zyrtare dhe ka hyrë në fuqi.
Implementimi i Ligjit dhe rritja e vlerës për tatim në pesë faza
Në Ligjin për Tatimin në Pronën e Paluajtshme është paraparë vlera e tatueshme e një njësie parcele.
Sipas ligjin, në vitin e parë (2018) të vendosjes së tatimit do të bëhet 20 % e vlerës së vlerësuar, ndërsa në vitin e dytë 40 për qind e vlerës.
Në Ligj përcaktohet se në vitin e tretë do të behet 60 për qind të vlerës, kurse në vitin e katërt 80 për qind e vlerës, si dhe për vitet tatimore në vijim, do të bëhet 100 % e vlerës së vlerësuar.
Kjo nënkupton se nga ky vit (2023), ky Ligj duhet të jenë i plotfuqishëm 100 për qind.
