Kryeministri i vendit Albin Kurti ka folur sot në seancën e Kuvendin e Kosovës për situatën e tensionuar në veri, të krijuar si pasojë e disa bandave kriminale që me udrhdër nga Beogradi po tentojnë të pënegojnë organizimin e zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore ku kryetarët kanë dhënë dorëheqje.
Ai ka thënë se Policia e Kosovës dhe organet e sigurisë së vendit asnjëherë nuk i ndjekin njerëzit në baza etnike apo fetare, por gjithmonë në bazë të sjelljeve dhe veprimeve të tyre individuale.
Kurti ka thënë se përkundrazi, Policia e Kosovës ka një konsideratë më të madhe për serbët e Kosovës, meqë Serbia në vazhdimësi bën keqinterpretime.
“Policia e Kosovës, organet e sigurisë asnjëherë nuk ndjekin, përndjekin ndokënd në baza etnike, fetare apo të tjera. Por vetëm sipas sjelljeve dhe veprimeve të tyre individuale. Policia e Kosovës kurrë nuk është e nxitur, orientuar kundër serbëve. Përkundrazi ajo ka një konsideratë shtesë për serbët e Kosovës, pikërisht për shkak të keqinterpretimeve që bëhen nga fqinji ynë verior”, ka thënë Kurti.
Megjithatë Kurti thotë se si rezultat të dorëheqjeve që kanë ndodhur, Kosova ka për obligim që të marrë veprime për funksionim të shtetit e të cilat janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Kryeministri gjatë diskutimeve në Kuvend tha se bashkërendimi me faktorët ndërkombëtarë ekziston, porse as ata nuk duan që të trajtohen si ministra.
“Vazhdimisht jemi në bashkërendim me faktorët ndërkombëtarë. Por ju duhet ta kuptoni, edhe ata presin të jemi në nivel të detyrës në vendin tonë. Janë ambasadorë të QUINT-it por ata s’behën dot ministra. Ministrat vijnë e shkojnë por shteti mbetet. Bashkërendimi me faktorët ndërkombëtarët nuk mund të jetë në mënyrën që ne t’i trajtojmë ata si ministra e ne të bëhemi zëvendësit e tyre sepse as ata nuk e duan këtë gjë. Jemi në një fazë të ndjeshme por edhe progresive në kuptimin demokratik e civilizues të falës”, ka thënë Kurti.
Kurti gjithashtu ka folur edhe për presidentin e SHBA-ve, Joe Biden duke thënë se ai e konsideron korrupsionin rrezik për sigurinë nacionale.
“Presidenti Biden e ka thanë shumë qartë me ta marrë detyrën. Korrupsioni është rrezik për sigurinë nacionale. Dhe këtë, duhet ne ta mishërojmë me sjelljet dhe veprimet tona. Ku ka korrupsion, ka hallkë të dobët në zingjirin e funksionit të organizmit demokratik.”, tha Kurti.
Në fund, Kurti tha se përpjekja e Beogradit është që të ndajë Kosovën në një situatë ku dallimi etnik shkakton konflikt.
“Përpjekja e Beogradit është që ta ndajë Kosovën në një situatë ku dallimi etnik shkakton konflikt. S’është e vërtetë. Në këtë Kuvend, ka pasë deputetë serbë, asnjë incident fizik. Fakti i dallimit etnik, s’është garantues i konfliktit. Ne duhet ta dëshmojmë përditë që kjo është e vërteta. Pse dallojmë, ne nuk luftojmë. Po dëshirojnë që serbët në jug, si puna e Rashiqit, t’i shpallin tradhtarë, shqiptarë e kështu me radhë. Ky është plani B i tyre, por qysh ka dështu plani A i tyre, do të dështojë edhe plani B.”, tha Kurti.