Pas deklarimit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila tha se mostrat e Astrit Deharit janë zhdukur nga laboratori i Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), konkretisht nga laboratori i toksikologjisë, Prokuroria Speciale e Kosovës tashmë ka nisur hetimet.
Lajmin për medie e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim isufaj.
Ai shkurt tha se kanë nisur hetimet për rastin në fjalë.
“Po kemi nisur hetimet. Është ende herët për të thënë më shumë”, tha Isufaj.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se të mërkurën në mbrëmje janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga laboratori i toksikologjisë.
“Mbrëmë janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë. Ky është akt i rëndë, kriminal, prandaj menjëherë kam njoftuar kryeprokurorin dhe drejtorin e policisë. Në mëngjes kam vizituar Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe jam njoftuar si në vijim: në mbajtëse e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, 1 epruvetë e urinës dhe një e lukthit. Nga këto institute dy epruveta me gjak ja ka dhënë Instituti Zviceran dhe një policisë për AND. Aktualisht sipas informacioneve mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urnës dhe një e lukthit. Në vend kanë qasje vetëm 3 persona. Vetëm 3 persona i kanë çelësat”, tha ajo.
Haxhiu ka thënë se kjo situatë e rëndë vë hije dyshimi mbi të gjithë Institutin e Mjekësisë Ligjore. Dhe nëse ndiqet protokolli, ajo ka thënë se do të jetë e thjeshtë që të gjenden përgjegjësit.
“Protokolli i vendit ku ruhen mostrat është shumë strikt, dhe nëse ndiqet kuptohet qartë se kush janë përgjegjësit për këtë krim. Në këtë rast ata që kanë pasur guximin të veprojnë në këtë mënyrë as nuk zmbrapsen nga protokolli e as nga përfshirja në një vepër të rëndë penale. Këtë guxim mund ta kenë vetëm ata që për motiv kanë dëmtimin final të rastit Dehari”.
“Autorët do të gjenden dhe rasti do të zbardhet me çdo kusht, s’ka dyshim e as kompromis”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka thënë se i di emrat e personave që kanë pasur qasje në laborator dhe se me ta po merren organet e drejtësisë, ndërkohë shtoi që veprime priten edhe nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.