Presidentja Vjosa Osmani ka folur në ceremoninë për përkujtimin e Masakrës së Reçakut, duke thënë se krimet e kryera në Reçak i dëshmuan botës për tragjedinë që po e përjetonin shqiptarët.
Ajo tha se 45 civilët e masakruar 24 vjet më parë në Reçak të Shtimes trokasin çdo ditë në ndërgjegjen e secilit për drejtësi.
“Krimet monstruoze shërbyen si një moment i kthesës historike, jo vetëm ngase aty mizoria e Millosheviqit ndaj civilëve shqiptarë mori trajtën më çnjerëzore, por edhe ngaqë shënoi një moment në të cilin vetëdija ndërkombëtare u zgjua përfundimisht”, tha Osmani.
Ajo shtoi se ky moment kthese lidhej edhe me një emër e një njeri, ambasadori William Walker, i cili edhe sot, njësoj si në vitin 99 e çdo vit pas tij, është këtu bashkë me banorët e Reçakut, bashkë me familjen e bashkë me të gjithë Kosovës.
Osmani tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ishte përkujdesur t’i masakronte edhe një herë viktimat me propagandën të cilës i printe pas masakrës.
“Sot kur i kujtojmë me dhembje të dashurit tanë, të cilëve makineria e dhunës ua këputi jetën vetëm e vetëm sepse ata ishin shqiptarë, sepse donin të jetonin të lirë, detyrimi për të siguruar drejtësi për ta e për të gjitha viktimat gjithandej Kosovës, bëhet synimi ynë më i madh më i rëndësishëm. Sepse historia e secilit prej tyre, është historia e Kosovës”, tha presidentja.


