Po vazhdon seanca gjyqësore në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka nisur deklaratat hyrëse dhe po vazhdon ende të flet për rastin e ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Avokati Gregory Kehoe në nisje të seancës tha se në ditën paraprake, Zyra e Prokurorit të Specializuar tentoi të lidhë dokumente e komunikata për të dëshmuar se “kolaboracionistët ishin kërcënim ekzistencialë”.
“Përfaqësuesit e ZPS-së folën si kolaboracionistët shiheshin si rrezik ekzistencialë. I vetmi rrezik ishte ushtria serbe bashkë me forcat paramilitare”, tha ai.
Ai po ashtu tha se Thaçi akuzohet se ka drejtuar një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, por dha një shembull se si komandantët lokalë kishin ndryshuar komandantin e përgjithshëm të UÇK-së, në kohën kur Thaçi ishte në Rambuje të Francës për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.
“Komandantët lokalë e ndryshuan komandantin e përgjithshëm, pa marrë mendim nga Thaçi e Azem Syla, që gjendeshin në Rambuje. Pushteti ishte në dorën e nivelit lokalë”, tha ai.
Tutje avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, deklaroi se Thaçi s’e ka mohuar asnjëherë që janë kryer krime të luftës, por këto sipas tij, s’janë bërë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Sipas Kehoes, krimet nuk kanë qenë të motivuara, por janë kryer nga individë shqiptarë.
“Janë kryer krime, por jo të motivuara. Thaçi s’e mohon se disa krime janë kryer nga disa individë shqiptarë. E ka informuar edhe në Këshillin e Sigurimit, por e kundërshton pretendimin se janë kryer krime nga udhëheqja e UÇK-së”, tha ai.
Sipas avokatit, Thaçi s’kishte pse të merrte pjesë në krime pasi “ai e dinte se suksesi i lëvizjes çlirimtare varej nga shtetet perëndimore, sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Thaçi e dinte se Kosova s’mund të arrinte pavarësinë pa ndihmën e SHBA-së. Ai kishte motivimin për të mos u angazhuar në ndërmarrje të përbashkët kriminale”, shtoi ai.