Gjykata Speciale në Hagë sapo shpalli aktvendimin për Salih Mustafën i njohur si komandant “Cali”, ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës . Kjo Gjykatë e ka dënuar me gjithsejt 26 vite burg Salih Mustafën.
“Ju shpall fajtor për torturë si krim lufte, ndalim arbitrar si krim lufte, vrasje si krim luftë. Duke qenë se jeni shpallur fajtorë për më shumë se një vepër, dënim më 10 vjet burgim për krimin së ndalimit arbitrar, dënim me 22 vjet burgim për torturë, 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme. Trupi gjykues ju dënon 26 vjet burgim me dënim të njësuar”, tha në leximin e vendimit kryegjykatësja, Mappie Veldt-Foglia.
Derisa prokuroria kishte kërkuar dënimin e tij unik prej 35 vitesh burgim, mbrojtja kishte kërkuar lirimin e tij nga akuzat.
Faza paraprake ndaj Salih Mustafës zgjati mbi 11 muaj derisa gjykimi u zhvillua në 52 ditë. U dëgjuan 29 dëshmitarë- 14 të prokurorisë e 15 të mbrojtjes.
Mustafa akuzohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Këto krime dyshohet se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.
Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, gjithashtu i njohur si ‘komandant Cali’, ka qenë komandant i njësitit gueril BIA (‘njësiti BIA’), njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjykimi ndaj tij përbën procesin e parë gjyqësor për krime lufte që ka nisur në Gjykatën Speciale.
Ky njëherësh do te jetë aktvendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.
Më herët, pranë këtij institucioni janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë.