Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e përbashkët të dy Kuvendeve atij të Shqipërisë dhe Kosovës, ka thënë se Kosova i gëzohet çdo suksesi të Shqipërisë.
Në fillim ai i ka uruar festën e flamurit të gjithë shqiptarëve.
“Gëzuar 28 nëntorin historik të Skënderbeut në Krujë, të Ismail Qemalit në Vlorë e Adem Jasharit në Prekaz”, tha ai.
Ai u shpreh se duhet të gëzohemi kur përfshihemi, siç tha ai, sa më shumë në çështjet publike të njëri-tjetrit.
“I gëzohemi çdo suksesi të Shqipërisë, si atyre të qeverive paraprake edhe këtyre sukseseve. Urojmë që sukseset e Shqipërisë të shtohen në çdo ditë të flamurit. Ashtu siç gëzohemi ne në Kosovë për sukseset tuaja ashtu gëzohen edhe në Shqipëri për sukseset e Kosovës”, tha Kurti.
Kurti shtoi se vendet tona ballafaqohen me probleme ku më i mprehti është ai i largimit të të rinjve.
Kryeministri shtoi se mërgimtarët janë mbështetja më e madhe e dy vendeve tona.
“Kjo ditë është edhe e juaja e më së shumti e juaja, mërgimtarët janë mbështetja më e madhe për vendet tona e familjet e tyre. E di që nuk po shkoni për qejf por prej brengës, e di që nuk kemi bërë mjaftueshëm që tua kthejmë besimin në institucione e që fëmijët tuaj ti rrisni në atdheun tuaj, por ju garantoj që këtë betejë do ta bëjmë deri në fund”, tha Kurti.

Kurti, tutje tha se duhet të jemi më shpesh bashkë dhe jo vetëm në kremte.
“Na duhet të jemi më shpesh bashkë dhe jo vetëm në kremte, jo vetëm ne politikanë, na duhet të punojmë bashkë, të ndajmë ide me njëri-tjetrin, t’i pranojmë kritikat njëri-tjetrit, pra të punojmë së bashku”, u shpreh tutje ai.