Ad image

Kurti: Edhe më e rëndësishme do të ishte po të bëhesha kryeprokuror

Kosova News
Kosova News 23:37 -03/12/2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke kritikuar sistemin e drejtësisë në vend, ka thënë se çdo ditë e më shumë në postin politik po e kupton që “më e rëndësishme do të ishte po të bëhej kryeprokuror”.

Teksa ka prezantuar të shtunën në Pejë buxhetin e vitit 2023, Kurti ka komentuar edhe sistemin e drejtësisë, të shumëkritikuar nga qeveritarët së fundmi, pasi u shpërfaqën varg dështimesh në rastin e vrasjes së 35-vjeçares shtatzënë, nga bashkëshorti i saj në oborr të Klinikës së Gjinekologjisë.

“Secilën ditë që po vazhdoj si kryeministër shpeshherë edhe duke e dëgjuar ministrin Hekuran Murati, po më duket që hala më e rëndësishme kish me qenë me u pas bë kryeprokuror. Po unë kryeprokuror s’muj me u bë, a kryeministër më keni bë ju, a kryeprokuror s’muj me u bo. Se për të ecë mbarë po nuk funksionoi edhe Prokuroria edhe gjyqësia qysh duhet, do të vonohemi shumë. Se këta me na ndal s’munden. Po, me na vonu po, ama gjithnjë e më pak, e unë jam optimist që edhe në këtë pengesë ja dalim bashkë sikurse në të tjerat”, ka thënë Kurti.

Qeveria dhe gjyqësori kanë ndërprerë kontaktet së fundmi, pasi kabineti i Kurtit vendosi për uljen e pagave në sistem të drejtësisë. Vendimi të premten u pezullua nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Në Pejë ai prezantoi buxhetin për vitin e ardhshëm bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Para pejanëve, Kurti ka thënë se me “buxhetin e vitit 2023, dhe në përputhje me Programin Qeverisës 2021-2025, do të vazhdohet mbështetja për arsimin, shëndetësinë, bujqësinë e sigurinë”.

Sipas njoftimit të Qeverisë, Kurti ka thënë se në kuadër të buxhetit parashihet shtimi i vlerave për investime kapitale, mallra dhe shërbime, që arrijnë vlerën 1.3 miliard euro e se kjo do të kontribuojë edhe në shtimin e aktivitetit biznesor dhe rritjen e zhvillimit ekonomik. Buxheti që u dedikohet komunave për vitin 2023 parashihet të jetë rreth 100 milionë euro më shumë se sa sivjet, ndërkaq buxheti për Komunën e Pejës mbi 33 milionë euro, sipas njoftimit.

Për Pejën, njoftimi thekson se janë planifikuar 6.6 për projekte infrastrukturore, e 1.55 milionë euro për sportin dhe rininë në këtë komunë. Qeveritarët kanë thënë se janë planifikuar edhe mjetet për finalizimin e Qendrës Nacionale të Xhudos.

Kosova është pa kryeprokuror që nga prilli kur i përfundoi mandatit Aleksandër Lumezi.Këshilli Prokurorial kishte propozuar dekretimin e Blerim Isufajt për kryeprokuror, por presidentja Vjosa Osmani, ka refuzuar dekretimin, pasi kundërkandidatët kanë ushtruar ankesë dhe lëndët po shqyrtohen nëpër gjykata.

Për më shumë, klikoni në linkun posht:

https://www.facebook.com/reel/671844864589242

Shpërndaje