Kryeministri i vendit Albin Kurti ka folur në nisje të mbledhjes së sotme të Qeverisë për procesin zgjedhor që është zhvilluar gjatë muajit të kaluar në katër komunat në veri të vendit.
Ai tha se jemi një muaj prej mbajtjes së zgjedhjeve në veri të vendit, ku nuk pati asnjë incident dhe ato u zhvilluan në një proces të qetë dhe paqësor.
“Frikësimi, linçimet, trysnia dhe shantazhi nga Beogradi zyrtar ndikoi drejtpërdrejt në daljen e qytetarëve serbë në zgjedhje. Vota e munguar ishte mungesë e vullnetit të lirë dhe jo shprehje e vullnetit politik”, tha Kurti.
Tutje kryeministri tha se fushatat kërcënuese të Beogradit zyrtar ndaj serbëve lokal, veçanërisht në katër komunat në veri të vendit janë të shpeshta dhe të vazhdueshme.
Por, sipas tij, veç pse diçka ndodh shpesh dhe vazhdimisht nuk do të thotë se është normale dhe e pranueshme.
“Para një jave kryetari i ri i komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq bëri betimin e tij. Kjo është normale pas një procesi zgjedhor dhe nënkryetare e komunës është emëruar Katarina Aranxhiq që vjen nga radhët e komunitetit serb. Dhe kjo është normale për këtë komunë. Dje u emëruar edhe drejtorët dhe ky është progres që duhet normalizuar. Nesër do të betohen edhe kryetarët e komunave tjera. Kanë kaluar gjashtë muaj që komunat janë pa kryetar dhe kjo nuk është normale. Veprimet tona janë për të garantuar institucione që ju shërbejnë qytetarëve dhe kjo është obligim ligjor për ne”, ka thënë Kurti.
Ndërkaq mbledhja e Qeverisë ka vazhduar me shqyrtimin e pikave të tjera në rend të ditës, siç është themelimi i Këshillit Organizativ për shënimin e 12 qershorit, Ditës së Çlirimit të Kosovës dhe shënimin e 10 qershorit, përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit.
Po ashtu, në rend të ditës është edhe shqyrtimi i Draftit të strategjisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.
Pika tjetër e rendit të ditës është shqyrtimi i Propozim-vendimit për formimin e Këshillit Ndërministror për Kontroll të duhanit..
Pos këtyre, në rend të ditës është edhe shqyrtimi i Kërkesës së Ministrisë së Shëndetësisë për mbylljen e Emergjencës së Shëndetit Publik.
Ndërkaq, përveç pikave të tjera, pjesë e rendit të ditës është edhe shqyrtimi i Propozim-vendimit për ndarjen e mjeteve buxhetore për zbatimin e masës 4.4 Mbështetja e Sigurisë së Pakos së Ringjalljes Ekonomike.