Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, i ngarkuar për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog dhe shefi i ekipit të Kosovës për bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi, sot do të vizitojë Beogradin.
Ai do të marrë pjesë në konferencën për integrimet evropiane.
Bislimi do të jetë edhe të premten në Beograd për të dhënë një kontribut si folës kryesor nga Republika e Kosovës në konferencën e Forumit për Marrëdhënie Etnike, ku do të diskutohet për integrimin evropian të Kosovës dhe rajonit.
Sipas njoftimit nga Forumi, zëvendëskryeministri Bislimi do të marrë pjesë në diskutimin në kuadër të “Dialogut Diplomatik” me temën “Kosova dhe perspektiva evropiane e rajonit”.
“Qëllimi kryesor i diskutimit është vështrimi i gjithanshëm i situatës, sfidave (mundësive të favorshme, por edhe pengesave) për përmirësimin e procesit integrues në BE të Kosovës dhe rajonit”, njofton Forumi.
Në diskutim janë të ftuar përfaqësues të trupit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare me seli në Serbi, përfaqësues të institucioneve të Republikës së Serbisë, partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile, ekspertë dhe personalitete të njohura publike.
Forumi për Marrëdhënie Etnike njoftoi se “Dialogu Diplomatik” filloi në vitin 2008 si kornizë për shkëmbimin e ndërsjellë të mendimeve ndërmjet përfaqësuesve të trupit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare me ekspertë, politikanë dhe diplomatë nga Serbia dhe rajoni.
Shkuarjen në Beograd të Bislimit e kanë konfirmuar edhe nga Qeveria e Kosovës.
“Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, merr pjesë në Beograd, ditën e enjte në konferencën e Forumit për Marrëdhënie Etnike, në tryezën e diskutimit “Dialogu Diplomatik”, me temë “Kosova dhe Perspektiva Evropiane e Rajonit”, me fillim nga ora 17:00.Ditën e premte, do të jetë pjesëmarrës në një panel diskutimi, në kuadër të “Belgrade Security Conference”, me temë “Kosova dhe Serbia – Shmangia e rrugës pa dalje”, me fillim nga ora 18:15”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi vjen në Beograd vetëm pak ditë para afatit për regjistrimin e automjeteve në targa RKS.
Kjo është vizita e parë e një zyrtari të Kosovës, e këtij niveli të lartë, që qëndron në Beograd./KosovaNews/