Emisari special i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se pret nga Kosova dhe Serbia, që ta pranojnë planin e ofruar për marrëveshje dhe ta nënshkruajnë atë.
Lajçak u shpreh se nuk vijnë me kërcënime apo ultimatume, rreth kësaj çështjeje, “për shkak se qëllimin e kemi drejt normalizimit të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd”.
”Jemi duke zhvilluar diskutime ndaras me palët dhe kur t’i bashkojmë do të presim që planin ta pranojnë, ta nënshkruajnë dhe ta zbatojnë natyrisht, pra të sigurohemi që ajo që do të nënshkruhet edhe të zbatohet”, tha Lajçak, për Klan Kosova.
”Ne jemi partnerë, nuk vijmë me kërcënime ose ultimatume, besoj se është një grup vërtetë serioze dhe kemi qëllimin më të mirë që me të vërtetë të zhvendosim cilësinë e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në nivel më të lartë”.
Teksa ai ka komentuar edhe raportimet e mediumut serb, Danas, i cili publikoi ditë më parë një verzion të planit të propozuar për të dyja palët.
”Është i afërt por nuk është i njëjti, mos të luajmë me këtë, kjo është filozofia”.
Megjithatë Lajçak nuk ndërron qëndrim, teksa thotë se propozimi është më i miri i mundshëm.
”Nuk do të komentoja të njerëzit tjerë, por kemi pasur një diskutim shumë serioz se përse ky propozim është i mirë, vërtetë besojmë se është propozimi më i mirë i mundshëm dhe çfarë do të sjellë? cilat do të jenë pasojat e arritjes së marrëveshjes dhe çfarë mund të presim nëse nuk arrihet marrëveshje”.
”Jam kthyer për të vazhduar diskutimet”, tha ai.
Ai ka thënë se propozimi përmban 11 pika, teksa kanë prezantuar verzionin e parë duke iu kërkuar të dyja palëve ta japin komentin e tyre.
”Mënyra më e mirë për ta quajtur është propozimi për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, unë e kam prezantuar planin në shtator dhe pastaj kishim diskutime me kryeministrin Kurti fillimisht dhe pastaj në dhjetor ia kam prezantuar një plan të azhurnuar me disa komente që i kemi pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe gjatë javës së kaluar kishim diskutimin e parë substancial lidhur me planin, siç e dini takimi zgjati dy orë e gjysmë dhe ishte një diskutim i gjerë dhe i gjatë dhe ambiciet janë që të ndalet cikli i krizave që të përqendrohemi në normalizim”.
”Janë 11 pika”, tha ai.
Lexo po ashtu: