Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka komentuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se vendimi ka sjellë një qartësi të rëndësishme përmes përcaktimit të një afati 30-ditor për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
“Është e rëndësishme që tani e dimë se ekziston një afat kohor. Por, nuk është shumë e qartë, nga ajo që kam parë, se çfarë ndodh nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet brenda këtyre 30 ditëve,” ka deklaruar Bajrami në DebatPlus.
Ajo ka shprehur shqetësimin se vendimi nuk jep një përgjigje të drejtpërdrejtë për pasojat nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë kryetarin edhe pas skadimit të këtij afati. Sipas saj, kjo është një pikë që kërkon më shumë sqarime, veçanërisht kur dihet se seanca konstituive po vazhdon tashmë për të 39-tën herë.
Bajrami gjithashtu ka theksuar rolin dhe përgjegjësinë që ka partia e parë në procesin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.
“Partia që ka të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar Kuvendi, nuk e ka vetëm të drejtën – e ka edhe përgjegjësinë që të arrijë një konsensus. Duhet të gjejë një figurë konsensuale, të pranueshme për pjesën më të madhe të deputetëve,” ka shtuar ajo.
Sipas Bajramit, kjo përgjegjësi duhet të merret seriozisht nga të gjitha palët, për të shmangur një krizë të re institucionale nëse nuk respektohet afati i vendosur nga Kushtetuesja.