Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka reaguar për zhvillimet e sotme në Bruksel. Aa ka thënë se oferta e BE-së paska qenë që detyrimet që ka Serbia nga marrëveshjet që i ka nënshkruar t’i numërojë si kompromise dhe Kosova të heq dorë nga zbatimi i vendimeve që dalin nga to. Sipas Bajqinovcit, Albin Kurti sot, përpos që mbrojti interesat e vendit, e mbrojti edhe BE-në, e cila për fat të keq hoqi dorë nga propozimet e veta.
“Oferta e BE-së paska qenë që detyrimet që Serbia ka nga marrëveshjet që i ka nënshkruar vetë t’ia numërojë si kompromise, ndërkaq Kosova të heq dorë nga zbatimi i vendimeve që dalin nga po të njëjtat marrëveshje. Njërës palë, Serbisë po i kërkohet që të respektohen marrëveshjet. Tjetrës palë, Kosovës po i kërkohet që të heq dorë nga respektimi i po të njëjtave:, ka shkruar Bajqinovci.
Sipas tij, kur Kosova propozoi që të trajtohet me urgjencë propozimi i ashtuquajtur Franko-Gjerman (evropian) e që po mbështetet nga të gjitha fuqitë perëndimore, pas refuzimit të Serbisë, mungoi vendosshmëria e BE-së.
“Albin Kurti sot, përpos që mbrojti interesat e vendit, e mbrojti edhe BE-në, e cila për fat të keq hoqi dorë nga propozimet e veta.
Pritni tash deklaratat që po prishemi me BE-në, kur në fakt ne po insistojmë në mbrojtje të propozimeve të tyre!”, ka thënë deputeti.