Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti së bashku edhe me drejtues tjerë të institucioneve morën pjesë në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së, me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së, 25-vjetorit të rënies së familjes Jashari.
Në fjalën e tij para të pranishmëve kryeministrui Kurti ka thënë se më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në familjen e Shaban Jasharit në Prekaz u luftua nga Serbia fashiste e Sllobodan Millosheviqit, e cila ka menduar se duke vrarë Adem dhe Hamëz Jasharin, mund ta shuante UÇK-në dhe luftën e saj të drejtë për çlirimin e Kosovës.
Ai shtoi se kjo luftë e ndezur nga forcat serbe në Prekaz, e nxiti edhe më shumë mobilizimin dhe përbashkimin e njerëzve rreth UÇK-së, të cilët e arritën edhe mbështetjen e NATO-s, me përkrahjen e së cilës iu dha goditja përfundimtare Serbisë dhe u çlirua Kosova më 1999.
“Më 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998, anëtarët e familjes Jashari rezistuan në vendlindjen e tyre, aty ku ndër breza kishin mësuar ta donin atdheun. Në familjen e Shaban Jasharit në Prekaz u luftua për tri ditë rresht nën një rrethim të blinduar nga disa mijëra trupa policore të Serbisë që me makineri ushtarake me përmasa frontale qëlluan me predha dhe bombarduan mbi shtëpitë Shabanit, duke vrarë gjithsej 59 njerëz. Serbia fashiste e Millosheviqit kishte menduar atëkohë gabimisht që duke e vrarë Ademin dhe Hamzën mund ta shuante UÇK-në dhe luftën e saj të drejtë për çlirimin e Kosovës, por duke ndezur luftën në Prekaz, ajo vetëm sa e nxiti edhe më shumë mobilizimin dhe përbashkimin e njerëzve rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nga disa grupe personash të armatosur me luftën e saj të drejtë dhe të çiltër, arriti ta fitonte edhe përkrahjen e NATO-s e veçanërisht të SHBA-së, që u përfshinë më pas në luftë për t’i dhënë bashkë goditjen përfundimtare Serbisë dhe për ta çliruar Kosovën në vitin 1999”, ka thënë ai.
Sipas tij, ushtarët e FSK-së, nuk duhet harruar që po mbajnë uniformën e prejardhur nga uniforma e kryekomandantit të UÇK-së, Adem Jasharit.
“Ishte viti 1993 kur vëllai më i madh i tyre, baçi Rifat Jashari, që punonte në Gjermani, do t’i dërgonte nga atje Hamzës dhe Ademit uniforma ushtarake. Janë ato uniforma me të cilat i kemi parë të veshur Ademin dhe Hamzën nëpër fotografitë dhe video incizimet e asaj kohe. Edhe simbolikisht ato mund të quhen uniformat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ju ushtare dhe ushtarë, nënoficerë e oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, sa herë që e vishni uniformën tuaj, mos harroni që po e mbani një uniformë të prejardhur nga uniforma e Adem Jasharit, kryekomandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ai.
Kurti tha se sot është përmbushur vizioni i atëhershëm i Ademit, për krijimin e Ushtrisë së Kosovës.
Në fjalën e tij para të pranishmëve kryeministri Kurti, ka thënë se rënia heroike e Adem Jasharit kishte bërë që ai të mbetej i gjallë mes ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se ai është gjallë edhe sot, veçanërisht tek ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Ato ditë ishte ende koha e luftës, e asaj lufte për të cilën Adem Jashari ishte përgatitur gjithë jetën dhe asaj lufte që ai ia kushtoi tërë jetën. U tha “Ai është gjallë”, edhe pse ai kishte vdekur për liri, sepse ishte pikërisht rënia e tij heroike, që kishte bërë që Adem Jashari të mbetej i gjallë mes ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai është gjallë edhe sot, veçanërisht sot, dhe veçanërisht tek ju ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, tha Kurti