Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Kojufca po qëndron për një vizitë në Shkup, me ç’rast atje është pritur në takim nga kryekuvendari i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi dhe presidenti Stevo Pendarovski.
Gjatë takimeve siç i ka quajtur Konjufca “të ngrohta e tejet miqësore”, tha se ka shkëmbyer mendime për aktualitetin politik, zhvillimet rajonale dhe mbështetjen e ndërsjellë në rrugën e integrimit evropian të shteteve tona, raporton KosovaNews
“Në diskutimet përmbajtësore mbizotëroi fryma e pajtimit të plotë rreth interesave të përbashkëta të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gjithashtu i vlerësuam të shkëlqyera marrëdhëniet e deritashme dhe ritheksuam gatishmërinë për kultivimin e mëtutjeshëm të raporteve tona, përfshirë edhe bashkëpunimin ndërparlamentar, duke konsideruar se avancimi i marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha sferat me interes të përbashkët i kontribuon zhvillimit të ndërsjellë, stabilitetit të rajonit dhe më gjerë”, ka shkruar Konjufca pas takimit me kryekuvendarin e presidentin nga Maqedonia e Veriut.
Mes tjerash Kojufca theksoi se me Presidentin Pendarovski dhe kryetarin Xhaferi ndamë pikëpamje të njëjta se i gjithë Ballkani Perëndimor duhet të integrohet sa më parë në BE dhe në NATO, meqë një hap i tillë nuk do të linte hapësira destabilizimi në rajonin tonë.

Kurse i pari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi tha se mbështesin nismën për mbajtjen e seancës së dytë ndërqeveritare ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës.
“E informova se në Kuvend është ratifikuar Marrëveshja për bashkëpunim në turizëm ndërsa në procedurë parlamentare janë ligji për bashkëpunim në lidhje me diasporën, për statusin e pjesëtarëve të Armatës sonë dhe Forcave të sigurisë të Kosovës gjatë stacionimit në territoret e të dyja shteteve dhe për partneritet në kontekst të garantimit të marrëveshjes për ndihmë teknike në suazat e Programit IPA”, tha Xhaveri duke shtuar se këtu bën pjesë shfrytëzimi i IPA fondeve në drejtim të hapjeve të kalimeve kufitare të reja dhe modernizimi i atyre ekzistuese.
Po ashtu, ai tha se në lidhje me dialogun Prishtinë – Beograd, qëndrimi i tyre është i njëjtë si edhe më parë.
“Mbështetje e plotë deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare, të pranueshme për të dyja palët, marrëveshje me të cilën do të garantohet paqja, stabiliteti, siguria dhe përparimi i të dyja vendeve dhe rajonit në tërësi”, tha Xhaferi./KosovaNews