Një deklaratë shokuese ka dhënë në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal, kryetari i komunës së Obiliqit Xhafer Gashi.
Ai gjatë përballjes me asamblistët bëri deklaratë me të cilën pretendonte se brenda sallës së Kuvendit Komunal ka ngacmues seksual.
Deklarata e Gashit është bërë kur foli lidhur me arsyetimin se pse drejtorët nuk duhet të ulën përball këshilltarëve komunal.
“Qajo fjala me dalë drejtorët përpara. Ju kam thënë a doni me dalë knena, por po tutën që po i ngacmon najkush seksualisht se po thonë që ka njerëz që kanë pasur vepra për ngacmime seksuale. Veç atë tutë e kanë”, tha Gashi, duke mos dhënë detaje e përmendur emër se për kë ka fjalën.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje në Obiliq, e cila ka ftuar organet kompetente që të merren me këtë deklaratë dhe të zbardhet e vërteta e këtij deklarimi skandaloz.
Vetëvendosje ai ka kujtuar Gashit se fshehja e këtij krimi e bën edhe atë përgjegjës.
“Ai hedh akuza direkte se në mesin e këshilltarëve komunal ka të tillë që kanë dhe kanë pasur vepra për ngacmime seksuale, por nuk deklarohet se kush është ai ose ajo. I kujtojmë kryetarit se fshehja e krimit e inkrimonon po aq sa vet kryesin/en e tij/saj”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.
E gjithë deklarata e kryetarit Xhafer Gashi është e xhiruar dhe ajo është e publikuar edhe në YouTube.
Këtu ju sjellim vetëm pjesën ku përmenden ngacmimet seksuale. Për shkaqe që video nuk ka kualitet të lartë, rekomandohet të dëgjohet me kufje.