Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, i ka kërkuar stafit të Prokurorisë në Dhomat e Specializuara që të anulojnë pushimet verore, dhe në vend të kësaj të punojnë, që të bëjnë një listë të dëshmitarëve që do t’i thërras.
Ai akuzoi Prokurorinë se edhe pas dy vitesh nuk është në gjendje të paraqes një listë reale të dëshmitarëve që do të thërrasë.
“Nuk mund të na e thonë këtë në kohën e afërt, sepse nuk e dinë as vetë”, tha Emmerson.
“Prokuroria nuk ka plan për gjykim as pas 2 vitesh që katër të akuzuar po mbahen në paraburgim, është shokuese. Duhet ta detyroni prokurorinë që të arrijë, apo të marrë vendime të rëndësishme gjatë kësaj vere. Stafi i prokurorisë duhet të anulojë pushimet dhe ta formulojë çështjen e vet, të tregojë se cilët dëshmitarë do t’i thërrasë në tre muajt ë parë të gjykimit, cilët janë 167 dëshmitarët e parë, pra duhet të disiplinohen nga ana profesionale, në të kundërt do të kemi një prokurori tërësisht dembele, dhe gjykimi mund të zgjasë nga 5 deri në 7 vjet”, transmeton Klan Kosova.
“Është vendim i juaji zotëri gjykatës që të thoni se kur arrihet pika e fundit, por mos na lini këtë vendim për shtator. Nuk mundet prokuroria që të vijë para jush dhe të kërkojë njëfarë të mire. Nuk e kam detyrë ta detyrojë prokurorinë të sillet ashtu siç duhet, por e kam për detyrë ta mbrojë klientin tim si duhet”, u shpreh tutje avokati i Veselit, raporton Klan Kosova.
“Ne duhet ta dimë çështjen me të cilën ballafaqohemi. Ju me plot të drejtë na pyesni se kur do të jeni të gatshëm e kur do të filloni hetimet e kështu me radhë, por ju duhet ta keni parasysh një pikëpamje të përgjithshme se sa i përket intervistave të dëshmitarëve dhe protokollit të dëshmitarëve është e dukshme dhe e pashmangshme që mbrojtja do të dëmtohet. Duhet të ndihmohet mbrojtja, këtë ndihmë mund ta jap prokuroria, por prokuroria nuk është e gatshme ta ndihmojë mbrojtjen”.