Hagë – Rexhep Selimi mbetet optimist dhe beson fuqimisht në triumfin e drejtësisë, ka deklaruar avokati i tij, Geoffrey Roberts, nga Gjykata Speciale në Hagë. Optimzmi i tij vjen në një kohë kur Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) po i afrohet përfundimit të çështjes së saj, me datën 15 prill si pikë kyçe.
“Marrja e një vendimi do kohë, por që në fund do të rezultojë me vendimin që ne shpresojmë,” tha Roberts para gazetarëve në Hagë, duke shprehur besimin e tij në një përfundim të favorshëm.
Avokati theksoi se pavarësisht katër viteve e gjysmë në paraburgim, larg familjes, Rexhep Selimi ka ndjekur dhe bashkëpunuar me çdo kërkesë të panelit gjyqësor. “Në një nivel personal, ai është optimist, është pozitiv, ashtu siç jam unë, dhe sigurisht shpreson që drejtësia të ndjekë rrugën e saj,” shtoi ai.
Procesi gjyqësor ndaj Selimit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, ka hyrë në fazën përfundimtare të prokurorisë. Pas 15 prillit, mbrojtja planifikon të paraqesë kërkesë për rrëzimin e akuzave, duke sfiduar mungesën e provave të drejtpërdrejta kundër Selimit.
“Momentalisht nuk kemi marrë ndonjë vendim nëse do të kemi nevojë të thërrasim dëshmitarë të mbrojtjes,” tha Roberts, duke shpjeguar se vendimi do të varet nga rezultati i kërkesës për rrëzim akuzash. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e adresimit të peshës së provave me shkrim, duke kërkuar një vlerësim të kujdesshëm të tyre.
Mbrojtja po shqyrton gjithashtu mundësinë e ndryshimit të regjimit të vizitave në qendrën e paraburgimit dhe lirimin e përkohshëm të Selimit, pas përfundimit të çështjes së prokurorisë.
Katër ekipet mbrojtëse, megjithëse punojnë ndaras, kanë një bashkëpunim të ngushtë, duke synuar një proces të drejtë për klientët e tyre. Selimi dhe të akuzuarit e tjerë kanë deklaruar pafajësinë e tyre për akuzat e krimeve të luftës.


