Ish- shefi i kabinetit në qeverisjen Haradinaj, Avni Arifi e ka komentuar situatën aktuale politike në Kosovë.
Arifi ka kritikuar Qeverinë Kurti duke e krahasuar me entuziazmin për çlirimin e Kosovës dhe pasaportat e Malishevës së vitit 1998.
“Rruga që ka zgjedhë Kurti për zgjidhjen e problemeve është tjetër nga rruga e liderëve Shqiptarë të kohës që përfaqësuan Kosovën në Rambuje e që solli lirinë dhe e kundërta Grupit të Unitetit që solli pavarësinë. Që të dy planet koha tregoj se ishin fitore për Kosovën e humbje për Serbinë.
Kurti është konsistent sepse ka qenë kundër marrëveshjes së Rambujes e edhe kundër planit të Ahtisarit. Se çfarë do të jetë rruga e tij, kush janë sponsorët dhe a do të i sjell humbje Serbisë apo Kosovës mbetet të shihet por duke parë entuziazmin e do ministrave e aktivistëve të VV në Facebook po më kujton entuziazmin për çlirimin dhe pasaportat e Malishevës së vitit 1998. Kosova ka hyrë në rrugë ku hiq nuk po i shihet fundi e thirrjet për unitet le të drejtohen në pamfletet ideologjike të majta e jo tek spektri politik i Kosovës” shkruan Arifi në reagim.
Arifi ka qenë anëtar i AAK-së dhe si i tillë ishte pjesë e Ekipit Negociator që kishte mandatuar Kuvendi i Kosovës në vitin 2018. Ka qenë edhe shefi i kabinetit në qeverisjen Haradinaj.
Po ashtu Arifi u emërua ambasador më 17 prill të vitit 2019 kur në krye të ekzekutivit ishte Ramush Haradinaj.
Madje, Arifi kishte falënderuar Haradinajn për besimin e dhënë në këtë post, të cilin e konsideroi me rëndësi të posaçme politike dhe ekonomike në atë pjesë të botës.



