Autoritetet turke kanë urdhëruar arrestimin e disa anëtarëve të partisë opozitare në Stamboll, si dhe kryen bastisje në komunat e udhëhequra nga opozita të shtunën, si pjesë e një nisme ligjore në zgjerim e sipër kundër kryetarit të burgosur të qytetit dhe subjektit të tij politik CHP, raporton agjencia “Reuters”.
Kryetari i Stambollit, Ekrem Imamoglu, i cili është njëkohësisht rivali kryesor politik i presidentit Recep Tayyip Erdogan, u burgos në mars nën akuzat për afera korruptive dhe lidhje me grupin terrorist kurd, PKK.
Arrestimi i Imamoglut nxiti protesta mbarëkombëtare, trazira ekonomike, dhe akuza të shumta në drejtim të qeverisë për kapje të sistemit të drejtësisë dhe praktika autoritare. Qeveria turke i ka mohuar këto akuza dhe ka përsëritur se gjyqësori është i pavarur.
Që nga burgosja e Imamoglut, autoritetet kanë arrestuar dhjetëra anëtarë të partisë së tij, zyrtarë nga Komuna e Stambollit, dhe të komunave të tjera që udhëhiqen nga subjekti më i madh opozitar CHP. Ndër të tjera, qasja në llogarinë e Imamoglut në rrjetin social X u bllokua në Turqi këtë muaj.
Të shtunën, agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu dhe transmetuesi privat “NTV” raportuan se autoritetet kishin lëshuar fletarrestime për 47 persona në kuadër të 4 hetime të ndara, teksa 28 prej tyre tashmë janë vënë nën pranga