Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq ka thënë se pas dy vitesh qeverisje dhe rezistencë ndaj sulmeve kriminale e terroriste përmes subjektit Lista Serbe, e cila udhëhiqte me parë me këtë komunë, tani bandat janë shpartalluar dhe ky qytet tashmë frymon shumë më lirshëm.
“Po bëhen 2 vite nga marrja e qeverisjes komunale në komunën e Mitrovicës së Veriut nga ana jonë. Për këto 2 vite u përballëm me shumë sulme kriminale me dirigjim politik nga Beogradi, përmes subjektit të vet satelit këtu, Listën serbe, që udhëhiqte me komunën.
Sot, pas 2 vitesh rezistencë ndaj sulmeve kriminale e terroriste, bandat janë shpartalluar dhe qyteti frymon shumë më lirshëm. Qytetarët janë të lirë, ndërkohë që edhe komuna është e gjithë qytetarëve pa dallim”, ka shkruar Atiq në një postim në Facebook.
Ai tutje ka theksuar se kishte shumë sugjerime dashakeqe ato ditë që të dilnin nga komuna, madje siç tha ai, “fatkeqësisht edhe nga opozita në Prishtinë”.
“Imagjinoni si do të ishte sot Mitrovica e Veriut, dhe veriu në përgjithësi po të dëgjoheshin këta zëra”, ka shtuar Atiq.