Trajneri i Arsenal, Mikel Arteta, ka shprehur besimin se skuadra e tij është më se gati për ta mposhtur Real Madrid në çerekfinalen e Chmapions League që zhvillohet të martën mbrëma në “Emirates Stadium”.
Duke folur në konferencën para ndeshjes, Arteta ka dhënë lajme pozitive për formacionin, duke u siguruar tifozëve se të gjithë lojtarët janë në dispozicion për këtë përballje të rëndësishme.
“Po, duket se të gjithë janë në dispozicion. Kemi një seancë stërvitore këtë pasdite. Ben White e përfundoi ndeshjen mirë dhe ndjehej mirë pas saj. Edhe të tjerët kanë kaluar mirë dhe dje kanë bërë disa ushtrime për t’u përgatitur për sot”, është shprehur Arteta.
Tekniku spanjoll ka theksuar rëndësinë e mentalitetit të skuadrës, duke deklaruar se ekipi është i bindur për mundësinë e fitores ndaj Real Madrid.
“E martë, ora 20:00, njëmbëdhjetë lojtarë dhe 60 mijë tifozë të bindur se jemi gati për të fituar. Kjo është gjendja mendore që dua të kem. Të jemi ekipi që kemi qenë në çerekun e fundit të sezonit, me të gjitha ngritjet, uljet dhe sfidat. Aty qëndron forca jonë më e madhe”, ka thënë ai.
Arteta beson se lojtarët janë të përgatitur dhe të motivuar për të përballuar çdo sfidë.
“Besoj se lojtarët janë të bindur. Nëse do të më duhej t’i bindja, atëherë do të kishim një problem. Ata e dinë saktësisht çfarë duhet të bëjnë”, ka thënë ai.
Për trajnerin e Arsenalit, ndeshja e martën është një mundësi e shkëlqyer për ta shkruar historinë e klubit.
“Është një nga gjërat më të veçanta. Është një garë për të cilën kemi pritur shumë vite. Fakti që në 15 vitet e fundit kemi arritur vetëm dy herë në këtë fazë, tregon sa e vështirë është. Tani duam të krijojmë historinë tonë dhe të shkojmë edhe më tej. Nesër është një mundësi e bukur për të gjithë ne”, është shprehur ai.
Përballë një kundërshtari të fortë si Real Madrid, Arteta është ndalur edhe te rreziku që paraqet sulmi i madrilenëve, veçanërisht emrat si Kylian Mbappe dhe Vinicius Junior.
“Me cilësitë individuale që ata kanë, veçanërisht kur i vendos në situata të caktuara, e di çfarë rreziku të pret. Prandaj janë kaq konstantë në këtë garë. Ata mund të krijojnë momente që vendosin fatin e ndeshjes, veçanërisht në skenat më të mëdha. Ato janë vendimtare për suksesin e skuadrës, dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për t’i parandaluar”, ka thënë tekniku spanjoll.