Sot ka diplomuar gjenerata e parë e arsimit dual, e me këtë rast u mbajt ceremonia e certifikimit.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se profesionalizmi është vula e padiskutueshme e integritetit që pritet nga çdo individ i plotësuar.
“Janë këto tipare që ushqen dhe kultivon arsimi dual, i cili e kombinon dijen teorike me punën praktike”, tha Kurti.
Ai theksoi tutje se rrugëtimi i arsimit dual në Kosovë është një prej rrëfimeve të suksesshme të qeverisë së udhëhequr prej tij.
“Arsimi dual filloi me katër profile të cilat tani janë dymbëdhjetë, filloi me njëqind nxënës e tani janë mbi 1600, filloi në katër shkolla e tani realizohet në 27 të tilla. Filloi në tri komuna ndërsa tani është shtrirë në 15 komuna. Një progres i tillë brenda tri viteve është i jashtëzakonshëm dhe i admirueshëm”, tha ai.
Kurti theksoi se nuk ka mundur të mos ketë sukses arsimi dual sepse është mbështetur në modelin e suksesshëm gjerman, i dëshmuar për dekada me radhë dhe i sjellë në Kosovë nga mërgata.
Në fund kryeministri uroj nxënësit duke ju shprehur suksese në jetë e në profesion.
Ndërsa ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se është një moment i jashtëzakonshëm kur shënojmë jo vetëm diplomimin e maturantëve të dy klasave të shkollës “ 7 Shtatori”, por sipas saj shënohet edhe kurorëzimi i një pune që pas tre viteve jep rezultatet.
“Është një moment për të falënderuar të gjithë ata që me përkushtim kanë punuar nga të gjitha institucionet të cilët me vullnet e durim i kanë tejkaluar sfidat më të cilat janë përballur, e që nuk kanë qenë të pakta. Me angazhimin e përbashkët, ja ku jemi sot këtu, tre vite pas duke shënuar përfundimin e suksesshëm të gjeneratës së parë me mësimin dual në katër profile në shkolla të ndryshme”, tha Nagavci.