Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka vënë të mërkurën gurthemelin edhe për një çerdhe, e cila do të ndërtohet në komunën e Gjilanit me kapacitet për akomodimin e 120 fëmijëve.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se ky investim i MASHTI-t në shumën prej 710,995.62 Euro, është projekt i rëndësishëm infrastrukturor që i kontribuon zhvillimit të mëtejshëm të ambientit edukativo-arsimor në qytetin e Gjilanit.
“Sot, plot vullnet dhe entuziazëm, hodhëm gurthemelin e çerdhes “Qarku 1” në Gjilan, me kapacitet për të akomoduar 120 fëmijë të moshës 9 muajsh deri në 5 vjeç. Fëmijët tanë meritojnë ambient të sigurt e stimulues qysh në vitet e para të jetës, sepse kështu krijohet bazë e qëndrueshme për rritjen dhe zhvillimin e tyre të plotë e të barabartë. Kështu ata/ato bëhen qytetarë të denjë për vendin, duke sjellë vlera të mëdha drejt avancimit të shoqërisë e demokracisë në Kosovë”, ka shkruar Nagavci pas vënies së gurthemelit.
Sipas saj, duke pasur një ambient të tillë të garantuar për të vegjlit, prindërit e rinj, e posaçërisht nënat, kanë mundësi të punojnë ose të rikthehen në tregun e punës, çka siguron ekuilibër më të mirë të jetës familjare.
“Edukimi në fëmijërinë e hershme është ndër prioritetet më të rëndësishme të Qeverisë Kurti, dhe MASHTI është në linjë të plotë me zotimin për ofrimin e mbështetjes maksimale në këtë fushë. Ndaj ky investim i MASHTI-t është prova më e mirë. Puna e mbarë na qoftë!”, ka thënë Nagavci.


