SBASHK-u dhe drejtuesi i saj Rrahman Jasharaj kanë injoruar kërkesën për takim urgjent nga Këshilli i Prindërve, duke mos pranuar as të diskutohet që të gjendet një zgjidhje së paku për fëmijët 1 deri 6 vjeç që prindërit po detyrohen t’i dërgojnë në kopshte private dhe të paguajnë para të mëdha nga buxheti familjar, shkruan KosovaNews.
Qindra mijëra nxënës në Kosovë ende kanë mbetur jashtë shkollave, kur nesër do të duhej të niste java e tretë e mësimeve. Sindikalistët e arsimit këmbëngulin se do ta vazhdojnë grevën, ndërsa drejtuesit e SBASHK-ut injorojnë edhe Këshillin e Prindërve, i cili sot kërkoi takim urgjent për të gjetur një zgjidhje, sidomos për fëmijët nga mosha 1 deri në 6 vjeç që shkojnë nëpër kopshtet publike.
Të shqetësuar me situatën e krijuar në nivelin arsimor në Kosovë dhe ndërprerja e procesit mësimor në të gjitha nivelet e arsimit, të shqetësuar me gjendjen e fëmijëve e cila ka filluar të rëndohet dhe në anën tjetër duke e parë që nuk po arrihet kompromis mes të SBASHK-ut dhe Qeverisë, Këshilli i Prindërve ka kërkuar sot një takim me drejtuesit e SBASHK-ut.
Në këtë thirrje për takim është thënë se nuk kërkojnë që sindikalistët të heqin dorë nga kërkesat e tyre, por të bëhen të ndjeshëm dhe të takohen për të diskutuar që të gjejnë një zgjidhje për fëmijët e vegjël që shkojnë nëpër kopshte, pasi prindërit po detyrohen të paguajnë para shtesë për të dërguar fëmijët nëpër kopshte private.
“Duke marrë parasysh që prindërit në institucionet parashkollore lidhin kontratë me komunat dhe paguajnë për shërbimet që marrin nga këto institucione, kërkojmë nga ju që të na pranoni në takim urgjent gjatë ditës së diel, që të diskutojmë për të gjetur një zgjidhje për të dalë nga kjo gjendje… Ju vejmë në dijeni që nuk do të kërkojmë nga ju që të tërhiqeni nga kërkesat që i keni si sindikalistë, por kërkojmë të bëheni të ndjeshëm karshi një grupi të fëmijëve që do të bartin pasojat më të rënda nga greva”, thuhet në kërkesën e Këshillit të Prindërve drejtuar SBASHK-ut për takim, raporton KosovaNews.

Drejtuesit e SBASHK-ut nuk preken me gjendjen e vogëlushëve, nuk pranojnë takim
SBASHK-u nuk ndien as për vogëlushët 1 deri 6 vjeç, injoron kërkesën për takim urgjent nga Këshilli i Prindërve edhe nuk shqetësohet se fëmijët 1 deri 6 vjeç po detyrohen të shkojnë në kopshte private.
Drejtuesit e SBASHK-ut nuk janë prekur fare nga thirrja e Këshillit të Prindërve dhe kërkesa për ndjeshmëri ndaj të vegjëlve nga 1 deri në 6 vjeç. Madje SBASHK-u nuk ka pranuar fare të takohet me Këshillin e Prindërve për të diskutuar lidhur me këtë problematikë.
“Ju lusim që kërkesën për takim ta drejtoni te Këshilli Grevist i Prishtinës, për shkak se komuna ka të bëj direkt me çështjet që lidhen me Institucionet Parashkollore. Po ashtu lidhur me fillimin e punës dhe ndërprerjen e grevës iu lusim me mirësi që t’i drejtoheni Qeverisë, ngase kjo është në dorën e tyre. Kërkesat e anëtarësisë tashmë të njohura, në momentin që plotësohen nga ana e Qeverisë, greva ndërpritet”, thuhet në përgjigjen e SBASHK-ut.
Ndërkohë që është vetë SBASHK-u që e ka bllokuar sistemimin arsimor, duke mos lëvizur nga kërkesat e tyre për 100 euro edhe pse Qeveria tashmë ka marrë vendim që të ndahen nga 50 euro shtesa deri në fund të vitit, ndërsa pritet të miratohet Projektligji për paga, ku thuhet se mësimdhënësit do të kenë paga dinjitoze.

Prindërit po detyrohen të paguajnë kopshtet private
Institucionet parashkollore të Kosovës janë institucione të edukimit dhe arsimit të grup moshave të fëmijëve nga 1 deri 6 vjeç, e prindërit paguajnë çmimin në shumë prej 50 euro, çmim ky në të cilin përfshihet qëndrimi ditor nga ora 6:30 deri në ora 17:00.
Për shkak të përfshirjes së këtyre institucioneve ne grevë të organizuar nga SBASHK-u, prindërit janë detyruar që fëmijët t’i dërgojnë në kopshte private apo të paguajnë kujdestar, me ç’rast pagesa është shumëfish më e madhe se ajo që paguajnë në kopshte publike.
“Përveç dëmit financiar që po i shkaktohet buxhetit familjarë me këtë grup moshë të fëmijëve, ju vejmë në dijeni se mosha e fëmijëve që shkojnë në kopshte është shumë e ndjeshme dhe ndërrimi i mësuesve për një periudhë të menjëhershme shkakton pasoja të rënda emocionale sidomos për ata 1 deri në 2 vjeç”, thuhet nga Këshilli i Prindërve të cilët u injoruan dhe nuk u pranuan në takim nga SBASHK-u./KosovaNews/