Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci sot ka vizituar shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Elena Gjika”, vizitë kjo e cila është bërë me rastin e shënimit të 72-vjetorit të mësimit në gjuhën turke.
Nagavci thotë se Ministria e Arsimit, me përkrahjen e Qeverisë kanë arritur të gjejnë zgjidhje për të ofruar tekste shkollore cilësore në gjuhën turke dhe ky është viti i dytë që nxënësit janë të pajisur me të gjitha tekstet.
Ajo shton se në vitet në vijim, bazuar në Startegjinë e Arsimit 2022-2026, parashihet që të ketë subvencione të vazhdueshme për hartimin, rishikimin, përkthimin dhe përshtatjen e teksteve dhe materialeve mësimore në gjuhën turke dhe të komuniteteve të tjera joshumicë.
“Në sistemin arsimor të Kosovës janë të regjistruar 2.721 nxënës të komunitetit turk në nivelin parauniversitar, ndërsa në Universitetin e Prishtinës dhe atë të Prizrenit janë të akredituara programe studimi në gjuhën turke. Po ashtu, MAShTI ndanë bursa çdo vit për nxënësit dhe studentët e komuniteteve”, shkroi Nagavci në Facebook.
Theksojmë se i pranishëm ishte edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti i cili ka premtuar mbështetje për studentët që mësojnë gjuhë të huaja në Kosovë.