Ad image

Nagavci: Në fokus kemi edukimin e gjeneratave të reja të komuniteteve

Bekim Morina
Bekim Morina 14:33 -06/06/2022

Ministrja e Arsimit, e Shkencës, e Teknologjisë dhe e Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka vizituar sot Qendrën me bazë në komunitet në Fushë Kosovë, e cila udhëhiqet nga organizata “The Ideas Partnership”, ku ka parë nga afër punën që bëhet në këtë qendër dhe ka biseduar me fëmijët që e frekuentojnë dhe me udhëheqësit e saj.

Ministrja Nagavci është informuar nga drejtori Arbon Osmani dhe stafi i organizatës për punën që bëhet çdo ditë me rreth 70 fëmijë të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë, si dhe planet për ta zhvilluar këtë qendër e cila një nga fushat kryesore të punës e ka edukimin.

Pasi që i përgëzoi për punën, ministrja Nagavci theksoi se organizata si kjo janë partnerë të rëndësishëm në synimin e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit për gjithëpërfshirje në arsim.

Ministrja tha se kanë vullnetin dhe gatishmërinë që të përmbushim obligimin për të ofruar mundësi të barabarta për secilin fëmijë përmes avancimit të politikave arsimore që e mundësojnë këtë.

Ndër të tjera, ajo përmendi bursat që ndahen nga MAShTI për nxënësit e shkollave të mesme të larta të këtyre komuniteteve, ndërsa tha se këtë vit janë planifikuar edhe bursa për studentë, me fokus në Fakultetin e Edukimit, në mënyrë që në të ardhmen të ketë sa më shumë mësimdhënës nga komunitetet.

Nagavci tha se Ministria e Arsimit është e hapur për bashkëpunim me secilën organizatë, e cila ka në fokus edukimin e gjeneratave të reja, veçanërisht sa i përket fëmijëve të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë, për t’i ndihmuar ata në forma të ndryshme që të jenë pjesë e sistemit arsimor dhe të mos e braktisin shkollën.

Me këtë rast, ajo ka vizituar edhe një klasë parafillore dhe një klasë ku marrin mësim plotësues nxënësit e klasave të para, ndërsa më pas ka vizituar edhe objektin në ndërtim të Qendrës, thuhet në faqen zyrtare të ministrisë. /Kosovanews/

Shpërndaje