Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme së bashku me komunat dh tashmë është gjithçka gati që nesër të fillojë viti i ri shkollor.
Ajo, në një konferencë për media, ka thënë se greva e nisur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (SBASHK) nuk po mbahet në pothuajse mbi 90 për qind të institucioneve publike, duke u bërë thirrje mësimdhënësve ta konsultojnë legjislacionin në fuqi me grevat dhe të mos bien pre e presioneve.
“Edhe pse kjo grevë u shpall nga BSPK-ja, e njëjta nuk është duke u mbajtur në të gjitha institucionet. Sipas informatave tona, mbi 90 për qind të institucioneve publike nuk po mbahet. Andaj unë kërkoj që të mos ketë grevë as në institucione arsimore. Ju siguroj se gjatë mandatit tim i kemi bërë të gjitha sigurimet e mundshme për punëtorët e arsimit. I kam pranuar në takim sa herë që ka kërkuar SBASHK-u. E njohim organizimin sindikal, por duhet të përmendim se respektimi i ligjit nënkupton atë në tërësi dhe jo pjesërisht. I lus punëtorët e arsimit ta lexojnë ligjin në plotëni”, tha ajo.
Ministrja ka dhënë siguri se se të gjitha kërkesat e stafit të mësimdhënësve janë marrë parasysh gjatë takimeve të përbashkëta dhe ato janë përfshirë edhe në Projektligjin për Paga, i cili tashmë është proceduar dhe së shpejti del në shqyrtim publik dhe mandej shkon për miratim në institucione.
“Ne kemi i tejkaluar edhe kërkesat e sindikatave në projektligjin e pagave. Është përmirësuar pozicionimi i stafit në sektor arsimor që është lënë anash nga ligjet e kaluara”, ka thënë Nagavci.
Ajo tha se Projektligji është në diskutim dhe drafti i tij është bërë publik dhe e kanë ndarë me SBASHK-un dhe punëtorët e arsimit jo vetëm që janë trajtuar me dinjitet në paga, por edhe çështje tjera.
Ajo përmendi faktin se për herë të parë kjo Qeveri ka ndarë buxhet për mësuesit me probleme shëndetësore, dhe prandaj më nuk ka mësues që janë të sëmurë dhe detyrohen të dalin në punë.
Ajo tha se po ashtu është ndarë buxhet për mësimdhënësit që ju është rrezikuar plotësimi i normës dhe ata tashmë po vazhdojnë punën pa presion se do të mbesin jashtë shkollave.
“Si ministri dhe Qeveri arsimin e kemi prioritet dhe këtë e kemi dëshmuar gjatë qeverisjes jo vetëm më rritjen e buxhetit, por edhe në legjislacion dhe të tjera çështje dhe ne presim fillim të mbarë dhe përmirësim edhe të cilësisë në arsim”, është shprehur ajo.
Nga ky vit shkollor si në Kosovë e Shqipëri të gjithë do të mësojnë me një Abetare, e cila nesër do të promovohet së bashku nga zyrtarët e Kosovës dhe Shqipërisë./KosovaNews/