Arsenali ka shënuar një fitore të rëndësishme në javën e 37-të të Ligës Premier, duke mposhtur Newcastle United me rezultat minimal 1-0 në Emirates Stadium.
Pjesa e parë ishte dinamike dhe u karakterizua nga raste të shumta për të dyja skuadrat.
Valentino Livramento i Newcastle testoi portierin në minutën e 11-të, ndërsa Arsenali reagoi menjëherë me raste nga Leandro Trossard (13’) dhe Thomas Partey (14’), por pa sukses.
Newcastle kërcënoi sërish me Harvey Barnes (16’) dhe Dan Burn (17’), por mungoi konkretizimi dhe pjesa e parë përfundoi pa gola.
Në fraksionin e dytë, skuadra e Mikel Artetës gjeti rrugën e rrjetës. Mesfushori Declan Rice realizoi gol në minutën e 55-të për të kaluar Arsenalin në epërsi.
Ben White pati një rast të artë për të dyfishuar shifrat, ndërsa Barnes nuk arriti të përfitonte për të barazuar për Newcastle.
Me këtë fitore, Arsenali ngjitet në kuotën e 71 pikëve dhe vazhdon të qëndrojë në vendin e dytë në renditje, ndërsa Newcastle mbetet në vendin e tretë me 66 pikë dhe do të kërkojë të sigurojë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve në xhiron e fundit.