Tre kriminelë shqiptarë të njohur si përkrahës të të shumëkërkuarit Talo Çela janë arrestuar në Dubai.
Bëhet fjalë për shtetasit Ervis Daka, Maksim Koçi dhe Ado Xhika, të cilët u vunë në pranga në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”.
Njoftimi:
Policia e Shtetit/Vijon intensivisht operacioni “The Wanted”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Kapen në Dubai, 3 shtetas të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale kundër personit, dhe përkrahës të të shumëkërkuarit T. Ç.
Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve në kohë reale dhe koordinimit konstant të veprimeve operacionale, mes strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese në Emiratet e Bashkuara Arabe, realizuar nëpërmjet strukturave të Interpolit, u finalizuan në Dubai, 3 faza të tjera të operacionit “The Wanted”. Konkretisht, u kapën shtetasit:
-E. D., 38 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Ai akuzohet se:-ka informuar shtetasit që kanë tëntuar të vrasin shtetasin K. P., në lidhje me lëvizjet e tij;-ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e shtetasit A. S.;-ka strehuar, ka transportuar dhe i ka siguruar kushtet e nevojshme për jetesë, shtetasit të shumëkërkuar T. Ç.
-M. K., 39 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për interes dhe hakmarrje, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Ai akuzohet se:-ka marrë pjesë në vrasjet e shtetasve K. K. dhe I. A.;-ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e shtetasve A. S. dhe A. C. alias A. S.;-ka ndihmuar shtetasin e shumëkërkuar T. Ç., për t’u fshehur;
-A. Xh., 40 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Ai akuzohet se:-për rreth 2 vjet, ka ndihmuar shtetasin T. Ç., duke i krijuar kushtet e nevojshme për jetesë;-ka shoqëruar 1 gazetar, me qëllim intervistimin e shtetasit T. Ç.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët, me qëllim ekstradimin e këtyre shtetasve, në Shqipëri.