Pjesëtarët e Policisë së Kosovës e kanë arrestuar pronarin e një fabrike në Ferizaj, pasi ky e ka sulmuar dhe i ka shkaktuar lëndime një punëtoreje.
Kjo ngjarje ka ndodhur të mërkurën rreth orës 11:00 në fshatin Dardani të Ferizajt.
Sipas një njoftimi të Polisisë, pas një mosmarrëveshje i dyshuari, F.I (28 vjeç), pronar i një fabrike të qeramikës, e kishte sulmuar viktimën me inicialet A.D (22 vjeçe), punëtore në këtë fabrikë.
Policia bëri të ditur se punëtores i janë shkaktuar lëndime trupore në pjesë të ndryshme të trupit, e cila më pas kishte pranuar tretman mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj.
“Në lidhje me këtë, hetuesit policor nga stacioni policor në Ferizaj i kanë marr veprimet e nevojshme dhe me datën 07.07.2022 rreth orës 20:00 kanë arrestuar të dyshuarin F.I, të cilin e kanë shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i njëjti dërgohet në mbajtje për 48 orë , për procedura të mëtejme hetimore, ndërsa rasti është cilësuar ‘’Lëndim trupor’”, thuhet në njoftim./KosovaNews/