Kameramani Jetmir Muji është arrestuar dhe aktualisht gjendet në stacionin policor Qendër në Prishtinë, pasi kishte xhiruar vajzat e presidentes Vjosa Osmani në shkollë.
Osmani, ka reaguar duke e konsideruar si “përndjekje të vazhdueshme, të kundërligjshme e të rrezikshme” që disa media po u bëjnë vajzave të saj të mitura.
Në një reagim publik, Osmani ka theksuar se për pesë vite me radhë fëmijët e saj kanë vijuar mësimin në shkollën publike “Ismail Qemali” në Prishtinë, ku janë përballur me sfida të njëjta si gjithë nxënësit e tjerë, përfshirë mungesë të ujit, energjisë, ngrohjes, si dhe mbingarkesë në klasa.
Sipas saj, ndonëse nuk është shkruar asnjëherë për faktin që ajo i ka dërguar fëmijët në shkollë publike, një pjesë e mediave janë marrë vetëm me publikimin e vendndodhjes, klasave dhe pamjeve të tyre pa autorizim, duke rrezikuar kështu sigurinë e vajzave të saj.
“Incizimet e paautorizuara të fëmijëve të mitur nuk janë pjesë e lirisë së shprehjes, por ekspozim i rrezikshëm që krijon mundësi për sulme, kanosje e kidnapime eventuale,” tha Presidentja, duke shtuar se Policia e Kosovës është e detyruar me ligj të garantojë sigurinë e fëmijëve të saj për shkak të nivelit të lartë të rrezikshmërisë.
Osmani paralajmëroi se do të ndërmarrë çdo masë ligjore për të mbrojtur fëmijët e saj, duke theksuar se praktika të tilla jo vetëm që rrezikojnë sigurinë fizike, por edhe shkaktojnë pasoja psikologjike afatgjata.


