Policia ruse i ka ndjekur njerëzit që kishin dalë rrugëve për të shënuar vdekjen e liderit opozitar rus, Alexei Navalny të premten.
Pamjet nga dy qytetet më të mëdha të Rusisë tregojnë oficerët policorë duke ua marrë protestuesve pankartat dhe duke i tërhequr zvarrë të tjerët nga përmendoret e improvizuara të Navalnyt.
Sipas grupit të të drejtave të njeriut “OVD-info”, të paktën 100 persona janë arrestuar në tetë qytete të ndryshme, përfshirë Moskën dhe Shën Petersburgun, gjatë protestave.
Ndonëse policia ruse nuk ka dhënë detaje për arrestimet, prokurorët kanë paralajmëruar rusët kundër pjesëmarrjes në ndonjë protestë në Moskë.
Navalny ka vdekur në burg në moshën 47-vjeçare. Ai ishte kundërshtari më i madh i presidentit rus, Vladimir Putin.



