Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar për arrestimin e katër personave gjatë kësaj të marte, të cilët më pas janë dërguar në mbajtje, për të vazhduar me procedura të mëtejme ligjore.
Sveçla ka thënë se bashkërisht me të gjithë akterët institucional dhe qytetarët do të vazhdohet lufta e pakompromis ndaj çdo individi apo grupi kriminal që cënon sigurinë në vendin tonë dhe të qytetarëve tanë.
“Njësitet relevante policore në koordinim me Drejtorinë Rajonale të Prishtinës dhe Prokurorinë, mbrëmë kanë arrestuar katër persona të cilët në mënyrë të organizuar si grup kriminal, në këmbim të të hollave, kanë kryer veprat penale si vrasje në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, lëndim i rëndë trupor, zjarrvënie, detyrim dhe armëmbajtje pa leje”, ka shkruar Sveçla.
Sveçla ka shtuar se ndjehet krenar me punën dhe angazhimin e parreshtur të Policisë së Kosovës në vendosjen e rendit, ligjit dhe ofrimit të sigurisë për të gjithë qytetarët kudo në territorin e Republikës së Kosovës.
“Së bashku me të gjithë akterët institucional dhe qytetarët do të vazhdojmë luftën e pakompromis ndaj çdo individi apo grupi kriminal që cënon sigurinë në vendin tonë dhe të qytetarëve tanë”, ka thënë tutje Sveçla.