Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se marrëveshja e arritur të mërkurën mes Kosovës dhe Serbisë për targat, e forcon sigurinë.
Hovenier ka thënë se marrëveshja avancon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa e ka vlerësuar si qasje konstruktive dakordimin e palëve.
“Vlerësojmë qasjen konstruktive dhe fleksibilitetin që rezultoi në këtë marrëveshje të rëndësishme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja shton sigurinë dhe avancon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve”, ka shkruar ai në Twitter.
ShBA-ja i pati kërkuar Qeverisë së Kosovës që ta shtyjë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e veturave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës, kërkesë të cilën Kosova e pranoi.
Të mërkurën u arrit marrëveshja pas diskutimeve gjashtë-orëshe mes palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel.
Appreciate the constructive approach and flexibility that resulted in this important agreement between Kosovo and Serbia. The agreement enhances security and advances efforts to normalize relations. https://t.co/cn0ZSaecZ7
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) November 24, 2022