Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se ShBA-ja pret që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe e po ashtu edhe të pranohet propozimi franko-gjerman nga të dyja palët. Hill në një intervistë për televizionin serb “K1”, ka thënë se ky vit është vendimtar dhe se beson se është reale që Asociacioni mund të formohet deri në verë e propozimi franko-gjerman të miratohet deri në fund të vitit.
“Mendoj se duhet t’i kthehemi çështjes themelore, e që është e ardhmja e komunitetit serb në Kosovë. Ata kanë jetuar atje me shekuj dhe duan të dinë se si është e ardhmja e tyre. Pra, pyetja themelore është të merremi me atë që buron nga marrëveshja e Brukselit, e kjo është Asociacioni. Asociacioni duhet të zbatohet absolutisht, nëse presim që dikush të ketë besim në marrëveshjet e ardhshme”, ka deklaruar Hill. “Unë mendoj se njerëzit duhet të punojnë çdo ditë për të gjetur një zgjidhje. Mendoj se është reale të propozohet që kjo të ndodhë këtë vit, prandaj mendoj se ky vit është domethënës, mendoj se propozimi është pozitiv dhe se mund të realizohet”.
Hill ka theksuar se SHBA-ja absolutisht mbështet atë që kanë bërë evropianët, veçanërisht propozimin franko-gjerman.
“Ne po flasim për një zgjidhje për Serbinë, Ballkanin dhe Evropën. SHBA-ja ka interesa afatgjate në kontinent dhe në këtë rajon. Unë mendoj se ajo që duhet të bëjmë është të flasim me evropianët për këtë”, ka thënë Hill.
Ambasadori amerikan ka thënë se SHBA-ja përkrah edhe iniciativat rajonale si “Ballkani i Hapur”, ndërsa ka shtuar se falë këtyre iniciativave është rregulluar marrëdhënia mes Tiranës e Beogradit.
“Ajo që i duhet këtij rajoni është një integrim rajonal edhe më i thellë, pasi nëse njëe kompani që shikon anën se ku të vendosni objektet e juaja prodhuese, atëherë natyrisht se shikoni të mos jetë vetëm në një treg, por të jetë në disa vende, pra janë iniciativa si Open Balkan, që janë absolutisht të shkëlqyera. Ka pak raste ku Beogradi dhe Tirana kanë pasur marrëdhënie kaq të mira sot. Kjo lidhet pikërisht me këtë iniciativë. Ne mbështesim iniciativa të tilla, duam të ndihmojmë njerëzit që të ndihmojnë veten, por duhet të jetë diçka që e ka origjinën nga ky rajon”, ka thënë Hill.


