Institucionet e shtetit, respektivisht njësitet policore kanë zhvilluar ditë më parë një operacion policorë në veri të vendit, me ç’rast janë zbuluar edhe tre laboratorë me bimë narkotike, në dy prej të cilëve u gjetën rreth 1.200 bimë narkotike, ndërsa te njëri pajisje të sofistikuara për kultivimin e tyre.
Për këtë çështje foli sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Luan Aliu, i cili tha se vlera e llogaritur e sasisë së lëndës narkotike dhe pajisjeve është rreth 2.3 milionë euro.
Gjatë këtij operacioni janë arrestuar pronarët e këtyre laboratorëve.
Deputeti Aliu tha se bashkëpronar i njërit nga laboratorët e shkatërruar është personi i cili sulmoi Policinë e Kosovës në Urën e Bistricës muajin e kaluar, ndërsa njëri nga të arrestuarit në këtë operacion është edhe vëllai i tij.
“Këto janë struktura kriminale që po i mbrojnë zellshëm ministrat serb Vuçeviq e Petkoviq. Siç edhe i pamë imazhet në media, këta kriminel po mbrohen e mbështeten dhe orkestrohen pandërprerë nga Presidenti i Serbisë Vuçiq e ministrat e tij Vuçeviq dhe Petkoviq”, ka thënë ai.
Ministri Aliu tha se ka vetëm një të vërtetë, e të cilën në vazhdimësi u kanë thënë të gjithë qytetarëve pa dallim, por edhe partnerëve ndërkombëtar, se barrikadat e vendosura gjatë muajit dhjetor në veri të vendit, kishin në hall si të mbronin drogën dhe jo qytetarët.
“Përmes vendosjes së barrikadave në rrugë, bandat kriminale mbronin vetën dhe jo qytetarët serb që janë shtetas të Kosovës. Përmes vendosjes së barrikadave, bandat kriminale mbronin vetën dhe lidhjet e krimit që dërgojnë deri në familjen e Presidentit të Serbisë – aty ku Vuçiq, përmes djalit të tij Danilo, dirigjon klanet kriminale me të cilat më pas sulmon shtetin e Kosovë”, ka thënë ai.
Në këtë rast, deputeti Aliu theksoi se për asnjë moment Qeveria e Kosovës nuk do të tërhiqet nga shtrirja e sundimit të ligjit në gjithë territorin e Kosovës dhe në ndërtimin e shtetit ligjor në gjithë territorin.
“Çdo tentativë e Serbisë që përmes bandave kriminale të destabilizojë Kosovën është e dështuar dhe do marrë përgjigjen nga forca e ligjit. Sa për të ju rikujtuar, janë tetë (laboratorë droge të shkatërruara deri më tani nga Qeveria Kurti. Pronarët e tyre: Milljan Delleviq, Ivan Sllaviq, Dushan Sllaviq e Nikolla Fillgjokiq, janë direkt të përfshirë në sulmet ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës, në ngritjen e barrikadave në rrugë, në kërcënimet e sulmet e vazhdueshme ndaj qytetarëve serb që kanë refuzuar e vazhdojnë të refuzojnë të bashkëpunojnë me ta”, është shprehur sot në Kuvend Aliu.
Ai shtoi se pas sulmit që bën ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës këta kriminel u vizituan nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, dhe nga Petkoviq ndërsa mbështeteshin e mbroheshin nga Lista Serbe e Millan Radojçiqit.
“E ritheksoj, institucionet e sigurisë janë të angazhuara seriozisht në luftimin e grupeve kriminale të cilat me aktivitetin e tyre vazhdojnë të sfidojnë zbatimin e ligjit, rrezikojnë rendin publik dhe sigurinë e qytetarëve në këtë pjesë të vendit. Respektimi i ligjit, paanshmëria në shërbim, përkushtimi dhe respekti ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim etnie, feje apo regjioni, si dhe ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë janë synimet primare të Republikës së Kosovës – DHE KËTU NUK KA HAPËSIRË PËR KOMPROMIS”.
Qeveria e Kosovës, sipas deputetit Luan Aliu, vazhdon maksimalisht angazhimin në arritjen e prioriteteve të përbashkëta për ofrimin e sigurisë dhe rendit për të gjithë qytetarët tanë.
“Shteti ynë mbetet i përkushtuar që jo vetëm me institucionet e sigurisë por edhe me të gjithë qytetarët pa dallim, të luftojë çdo dukuri negative dhe të forcojë sundimin e ligjit”.


