Kryetari i Komunës së Ferizajt së bashku me disa kryetar të tjerë për pak ditë kanë qëndruar në Bruksel si pjesë e panelit diskutues dhe inaugurues të punimeve në Komitetin Evropian të Rajoneve. Në këtë panel është themeluar edhe grupi për Kosovën në Asociacionin e Komunave të Kosovës.
Në Bruksel, kryetari Aliu sëbashku me kryetarët e tjerë kanë takuar edhe ambasadorin e Republikës së Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami.
Kryetari Aliu, ka thënë se përveç pjesëmarrjes në panelin inaugurues të komitetit Evropian, ai ka takuar edhe ambasadorin Bajrami me të cilin kanë biseduar për disa tema në interes të bashkëpunimit institucionale ndërmjet Kosovës dhe mekanizmave evropian.
“Kënaqësi e veçantë që gjatë vizitës tonë në Bruksel, të mirëpritemi e të takojmë Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Bruksel, Shkëlqesinë e tij, Agron Bajrami ku patëm mundësinë të bashkëbisedojmë mbi tema të ndryshme me fokus në bashkëpunimet e institucioneve lokale të Kosovës me mekanizmat evropianë”, ka thënë Aliu nëpërmjet një postimi në rrjetin social.
Aliu po ashtu një ditë më parë pati treguar edhe për qëllimin e pjesëmarrjes në panelin diskutues në Bruksel.
“Në Bruksel, kënaqësi e veçantë të jem pjesë e panelit diskutues e inaugurues në punimet e Komitetit Evropian të Rajoneve, ku u themelua Grupi për Kosovën në Komitetin Evropian të Rajoneve, pikërisht në ditën e zgjerimit të BE-së e ku Asociacioni i Komunave të Kosovës merr pjesë në cilësinë e vëzhguesit dhe partnerit bashkëpunues, mundësi kjo që të forcohet bashkëpunimi, rrjetëzimi e shkëmbimi i praktikave dhe avancimi i agjendës institucionale-shtetërore karshi mekanizmave të BE-së”, ka thënë Aliu.