Pronari i kompanisë “Frutex”, Shaqir Palushi ka alarmuar se çmimi i rrymës për konsumatorët e mëdhenj, pas datës 1 qershor do të jetë mbi 200 për qind më shtrenjtë.
Palushi në një postim në Facebook, ka shkruar se kompania që ai drejton ka kontaktuar operatorin aktual KESCO për të marrë ofertën për furnizim të mëtejmë dhe sipas kësaj oferte çmimi i energjisë elektrike është 225 për qind më shtrenjtë.
“Pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili obligon konsumatorët e mëdhenj të kalojnë në tregun e hapur pas datës 1 qershor 2025, Frutex ka kontaktuar operatorin aktual KESCO për të marrë ofertën për furnizim të mëtejmë. Sipas kësaj oferte, çmimi i energjisë elektrike rezulton të jetë 225% më i lartë krahasuar me çmimin aktual”, ka shkruar Palushi.
Për ilustrim, Palushi ka përmendur se gjatë vitit 2024 Frutex ka paguar 421 mijë euro për energji elektrike, ndërsa për të njëjtën sasi të konsumuar, pas hyrjes në fuqi të vendimit të ZRRE-së, kompania do të duhet të paguaj 1.37 milionë euro.
Frutex e ka cilësuar këtë rritje si “të jashtëzakonshme dhe të papërballueshme për industrinë prodhuese”.
Postimi i plotë:
Ftesë për paraqitje të ofertave nga operatorët e licencuar për furnizim me energji elektrike
Frutex fton të gjithë operatorët e licencuar për furnizim me energji elektrike që të paraqesin ofertat e tyre për furnizimin e kompanisë sonë, në përputhje me rregulloren për funksionimin e tregut të hapur të energjisë.
Pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili obligon konsumatorët e mëdhenj të kalojnë në tregun e hapur pas datës 1 qershor 2025, Frutex ka kontaktuar operatorin aktual KESCO për të marrë ofertën për furnizim të mëtejmë.