Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet Xh.D., nga fshati Dubravë, i cili gjendet në paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Dhunimi”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga data 01 e deri më 02 maj të vitit 2024, në një motel në Ferizaj, i pandehuri Xh.D., me dashje e detyron të dëmtuarën- si viktimë e ndjeshme për shkak të aftësive të kufizuara mendore, që e njëjta të kryej akt seksual pa pëlqim, në atë mënyrë që fillimisht e josh të dëmtuarën përmes rrjetit social “Facebook” që të takohen, ku e dëmtuara i bindet të pandehurit dhe i njëjti e hip në veturë dhe duke e parë dhe qenë i vetëdijshëm për gjendjen e saj psikike, me të njëjtën veturë e dërgon të dëmtuarën në motel në Ferizaj dhe gjatë kësaj kohe e detyron të dëmtuarën që të kryej akt seksual disa herë dhe ndaj saj ushtron edhe dhunë fizike, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Siç thuhet nga ana e Prokurorisë, në fund i pandehuri me të njëjtën veturë që kishte marr të dëmtuarën e dërgon në të njëjtin vend ku e kishte marr dhe e lë në rrugë, me çka ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Dhunimi”.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur të shpallet fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet dhe të dënohet sipas ligjit.


