Prokuroria Themelore në Pejë, përmes departamentit për krime të rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj pesë zyrtarëve të ndërmarrjes publike “Ambienti” në Pejë, për një sërë veprash penale që lidhen me keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe korrupsion.
Të akuzuarit A.M, I.B, F.A, Sh.G dhe N.A, të cilët nga viti 2020 deri në fund të vitit 2022 kanë mbajtur pozita zyrtare në bordin dhe menaxhmentin e kësaj ndërmarrjeje, dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat e tyre për të përfituar dobi pasurore për vete dhe persona të tjerë.
Sipas aktakuzës prej 79 faqesh, të pandehurit, duke vepruar si bashkëkryerës, kanë ndarë bonuse për vete pa vendim të aksionarit dhe në mungesë të bazës ligjore. Aktakuza ngarkon A.M, në cilësinë e Kryesuesit të Bordit të Drejtorëve, dhe anëtarët tjerë të bordit – I.B, F.A, Sh.G – si dhe N.A, në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv, për veprat penale:
“Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”
“Konflikti i interesit”
“Legalizimi i përmbajtjes së rreme”
“Deklarimi i rremë nën betim”
Përveç kësaj, N.A, në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv, akuzohet edhe për punësime të kundërligjshme të më shumë se tetë personave, për të cilat ngarkohet me të njëjtat vepra penale të lartpërmendura.
Prokurori i çështjes ka propozuar që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Po ashtu, është kërkuar kompensimi i dëmit të shkaktuar ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës dhe ndalimi i tyre nga ushtrimi i funksioneve në administratë publike ose në shërbim publik.
Prokuroria Themelore në Pejë thekson përkushtimin për ndjekjen penale të veprave nga kapitulli i korrupsionit dhe mbrojtjen e interesit publik.